Elis Bakaj është një nga ata që i ka golat në gjak dhe këtë vijon ta tregojë më së miri në kampionatin bjellorus, në radhët e Shakhtar Soligorsk. Sërish ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, edhe në fitoren 2-3 që skuadra e tij arriti në transfertë përballë Torpedo Minksut. Tiranasi ishte autor i golit të dytë të Shahktar, megjithëse vetëm nga pika e bardhë e 11-metrave në minutën e 45-të, atëherë kur prishi ekulibrin e fiksuar përkohësisht në 1-1. Përveç golit, Bakaj ka qenë shumë vendimtar në këtë fitore për skuadrën e tij, pasi ka qenë pikërisht sulmuesi 31-vjeçar, i cili dha asistin për golin e tretë. Krosi nga goditja e këndit i ngritur nga Bakaj është çuar në rrjetë me kokë nga Laptev që e çoi rezultatin në 2-3 për Shaktjor Soligorsk.
Gjashtë minuta nga fundi, ish-lojtari i Partizanit, Tiranës dhe Kukësit u zëvendësua, duke marrë vlerësime për një tjetër paraqitje pozitive të tij. Ai ishte një nga më të mirët në fushë, teksa vijoi të shfaqë formën e shkëlqyer gjatë këtij sezoni në kampionatin bjellorus. Gjithsesi, 4 golat në seri që shënohen nga Bakaj, nuk e kanë bindur Panuccin ta përfshijë në planet e veta, pasi ka besuar më tepër te lojtarë që ende nuk kanë arritur të shënojnë dot gola në këtë sezon. Por që prej kohësh kanë qenë pjesë e projektit të tij.