Forma e shkëlqyer që po kalon Endri Çekiçi në Slloveni është një ndër ato që tërheq vëmendjen sa i takon futbollistëve shqiptarë që aktivizohen nëpër Evropë. Ish-lojtari i Shpresave kuqezi është protagonist i padiskutuar në radhët e Olimpia Ljubjanës, ndërkohë që shënoi edhe në fitoren e fundit që skuadra e tij mori ndaj Bravo. Ai arriti të realizojë një supergol, videon e të cilit nuk ka ngurruar ta postojë në profilin e tij të “Instagramit”.
Një gol që ka marrë vlerësimin e një tjetër shqiptari që po tregon formë të mirë, sic është Elis Bakaj, i cili luan në Bjellorusi me Shahktjor Soligorsk. Ish-lojtari i Partizanit, Dinamos, Tiranës e Kukësit nuk ka nguruar të japë edhe një këshillë për Çekiçin, duke i treguar me ironi se si duhet të luajë për të fituar thirrjen e Kombëtares. “Mos luaj kaq mirë vëlla sepse nuk të merr Kombëtarja, luaj ‘çka’ se mbase… të marrin. Bravo vëlla”, ka shkruar në komentin e tij Bakaj, i cili ashtu si Cekici, nuk ka kursyer golat në Bjellorusi.
Këtë këshillë të dhënë nga Elisi, vetë Çekiçi e ka marrë me sportivitet, duke mbajtur lojën e kolegut të tij. “Shumë faleminderit vëlla për vlerësimin. Pse jo, duhet menduar edhe kjo që thua”, ishte përgjigja e pogradecarit. Në fakt, Cekicin dhe Bakajn i bashkon fakti që janë dy nga golshënuesit shqiptar me mesataren më të mirë realizuese gjatë muajve të fundit nëpër kampionatet evropiane. Por, në mënyrë të pakuptimtë, nuk preferohen nga Kombëtarja. As kur ishte në krye Panucci e as tani me Rejën në drejtim.