Rreth 90 minuta ka zgjatur takimi mes babait të Lionel Messit dhe presidentit të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu. Palët kanë biseduar rreth zgjidhjes së ngërçit që ka shkaktuar kërkesa e Messit për t’u larguar nga skuadra katalanase.
Megjithatë, situata nuk duket aspak e mirë për Barcelonën. I pyetur nga tifozë dhe gazetarë të cilët e prisnin në aeroport, Jorge Messi është përgjigjur shkurt që për momentin nuk ka asnjë marrëveshje me ndonjë skuadër tjetër. Gjithsesi qëndrimi tek Barcelona vështirë se do të ndodhë. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Bartomeu thuhet se i ka propozuar lojtarit një rinovim të kontratës me kushte financiare të përmirësuara.
Kontrata aktuale e Messit skadon në vitin 2021 dhe drejtuesit e Barcelonës po kapen pas këtij fakti. Nga ana tjetër, babai dhe agjenti i Messit, kërkon që skuadra ta lejojë sulmuesin të largohet, duke respektuar dokumentin e famshëm tanimë të quajtur ‘burofax’. Sipas këtij dokumenti që Messi ia ka dërguar drejtuesve të Barcelonës, ai kërkon respektimin e klauzolës për t’u larguar lirisht nga skuadra.
Tek Barcelona këmbëngulin se kjo klauzolë në këtë rast nuk vlen, pasi skuadra është mbledhur për sezonin e ri. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Messit kanë shpjeguar se lojtari ka respektuar fundin e sezonit, që për shkak të pandemisë së ‘Covid-19’, u shty deri në fundin e muajit gusht. Pikërisht finalja e Lisbonës, e luajtur më 23 gusht shihet si fundi i sezonit të luajtur 2019/2020. Ndaj dhe Messi tashmë kërkon që Barcelona të respektojë vendimin e tij për t’u larguar. Mes palëve pritet të ketë të tjera takime, ndërkohë që vetë Messi nuk ka ndërmend as të shfaqet në seancat stërvitore.