B.DORTMUND-SPORTING, TS2 HD, 18;45

Sport

 Rui Borges, trajner i Sporting

“Kjo do të jetë një sfida e madhe. Duhet të jemi në gjendje të ruajmë nivelin e lartë, për periudha më të gjata kohore gjatë kësaj ndeshjeje. Në pjesën të parë të ndeshjes së kaluar, ne ishim shumë intensivë. Rezultati për t’u përmbysur është i vështirë, por, duke pasur parasysh madhështinë e klubit, ne kurrë nuk do të dorëzohemi. Prandaj do të bëjmë më të mirën për të fituar. Bëhet fjalë për të dhënë maksimumin, natyrisht duke u përpjekur të jemi në nivelin tonë më të mirë të mundshëm dhe duke u fokusuar në atë që duhet të bëjmë. Sigurisht që do të jetë e veçantë për ne, por po ashtu edhe për tifozët. Të gjithë do të mund të shijojmë atmosferën, pasi këto lloj ndeshjesh janë të veçanta. Ato janë mundësi të shkëlqyera për të ndjerë diçka shumë speciale. Ndihem i lumtur t’i jetoj këto momente dhe do të jetë një natë e mrekullueshme e Champions League!”.

Conrad Harder, sulmuesi i Sporting:

“Ne jemi në disavantazh 3-0. E madje luajmë në transfertë, por do të bëjmë gjithçka për të fituar. Klubi dhe tifozët e kërkojnë këtë. Ne kemi një lojtar në ekipin tonë që pësoi një dëmtim të rëndë si Daniel Bragança dhe duam ta fitojmë këtë sfidë, për të. Jam shumë i nderuar që luaj në këtë kompeticion. Gjithçka po ndodh shumë shpejt. Ndihem shumë i lumtur që jam këtu. Gyokeres? Ai është një sulmues i madh. Mundohem të bëj më të mirën kur jam në fushë, me ose pa të. Do të jetë e vështirë pa të, por unë do të vazhdoj të jap më të mirën time”.

 

Niko Kovač, trajner i B. Dortmundit:

“Nuk është një situatë e lehtë, të gjithë mund ta shohin këtë. Por është gjithashtu një mundësi për t’u rritur sëbashku dhe për të dalë më të fortë. Ne duhet ta mbushim mendjen me mendime pozitive në mënyrë që gjërat të shkojnë më mirë, në të ardhmen. Skuadra është e aftë të luajë me ritëm shumë të lartë dhe të sjellë shumë intensitet. Tani për tani, mentaliteti ynë është faktori vendimtar dhe suksesi në ndeshje dhe stërvitje do të jetë më i prekshëm, vetëm përmes përvojës. Sfida me Sportingun është vetëm pjesa e parë. Pres një ndeshje të vështirë, do të japim 100%. Nuk do të ndryshojmë shumë. Ne e dimë se disa nga lojtarët e tyre titullar janë jashtë. Por ata që do të luajnë, me siguri do të duan të vihen në dispozicion të trajnerit dhe të shfrytëzojnë mundësinë e tyre. Në futboll çdo gjë është e mundur; nuk duhet të marrim asgjë lehtë.  Ne përpiqemi t’i parashtrojmë gjërat pozitive, për lojtarët, në mënyrë që ata të shohin – pavarësisht dy humbjeve, se ka gjëra inkurajuese në atë që po bëjnë. Mbi të gjitha, ajo që treguam në Lisbonë është pikërisht ajo që lojtarët janë të aftë të bëjnë!”.

Pascal Gross, mesfushori i B. Dortmundit:

“Ne nuk duhet të bëjmë gabime dhe të pësojmë gola prej pakujdesive. Nga ana tjetër, na duhet të shënojmë gola, sepse vetëm kjështu fitojmë një ndjenjë të mirë. Ata na mbushin me besim. Kjo është ajo që pamë në Lisbonë. Në këtë mënyrë, ne mund të rritemi edhe në lojë. Situata jonë, pavarësisht luhatjeve që kemi pasur, mund të përmirësohet nëse bëjmë gjërat si duhet. Na pret një ndeshje e madhe në Ligën e Kampionëve. Kundër Sportingut kemi një sfidë normale në shtëpi, që duhet ta nisim sikur të ishte 0-0”.