Vetëm 2 muaj zgjati aventura e Kamer Qakës me gjigantët rumunë të Steauas së Bukureshtit, ku u transferua në 1 korrik të këtij viti. Mesfushori shqiptar është rikthyer te skuadra që e lancoi në futbollin rumun, Politehnika Iasi. Mesa duket, situata është bërë e padurueshme për presidentin e Steauas, Gigi Becali, i cili së fundi ishte shprehur se “nuk kishte kohë të rriste një fëmijë”. E kështu, e kishte përjashtuar lojtarin nga skuadra e tij, pas eliminimit nga Rapidi i Vjenës në play off të Europa League-s. Kaq mjaftoi që të vihej në veprim Poli Iasi, e interesuar për të rikthyer lojtarin në skuadër. Dhe të dielën nuk vonoi zyrtarizimi i tij, si afrimi i orës së fundit te klubi rumun kundrejt 200 mijë eurove, teksa Steua e kishte blerë 375 mijë.
Mësohet se Qaka, pas vetëm 5 ndeshjeve me Steauan, tashmë ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare, megjithëse me një pagë më të ulët se te Steaua Bukureshtit: nga 12 mijë, do të marrë 10 mijë euro në muaj. Teksa është vendosur në dispozicion të trajnerit të Poli Iasi që në ndeshjen e së hënës me Concordian. Për shkak të dëmtimit dhe formës së tij larg nivelit të kërkuar nga Panucci, Qaka nuk është grumbulluar në përfaqësuese për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, që luajmë duke nisur nga kjo fundjavë kundër Izraelit e Skocisë.