Avdijaj në provë te klubi i shqiptarëve…

Sport

Donis Avdijaj
Si talent nuk diskutohet, por karakteri pak i vështirë nuk e lejon të përshtatet nëpër klubet që i besojnë cilësive të tij. Në këtë mënyrë mund të përkufizohet Donis Avdijaj, lojtari i Kombëtares kosovare, i cili që në moshë të re ka qenë në qendër të vëmendjes për bëmat e tij në fushë e jashtë saj. Pa harruar edhe klauzolën prej 49 milionë eurosh që i vendosi Schalke 04 në kontratë kur ishte ende adoleshent. Pasi kaloi i huazuar nëpër skuadra si Shturmi i Gracit e Roda, u duk se gjeti veten te Vilem II në Holandë, duke luajtur e shënuar rregullisht. Por ja që u kthyen përsëri problemet e vjetra të disiplinës, që e lanë lojtarin pa ekip, pasi holandezët befas i ndërprenë kontratën. Klubi i Eredivise e arsyetoi këtë vendim, duke thënë se 22-vjeçari nuk është i aftë për të qenë pjesë e skuadrës në pjesën e dytë të kampionatit. Ndërsa mediat në Holandë zbuluan se në kampin stërvitor të ëillemit në Spanjë gjatë fazës përgatitore të dimrit, Avdijaj ishte pjesë e një grupi që po bënin zhurmë të vazhdueshme në hotel, madje duke luajtur me letra deri në orët e vona të natës. Kjo ka bërë që klubi ta përjashtojë lojtarin për arsye disiplinore.

donisi

Pezullimi nga ana e klubit të Villem ndikoi edhe në mos grumbullimin e tij te Kosova, pasi Avdijaj nuk mori ftesë nga Challandes për përballjet me Danimarkën e Bullgarinë. Paraqitjen e fundit me Kosovën, ai e ka pasur në nëntor të vitit të kaluar ku luajti për 19 minuta kundër Maltës, duke i realizuar dy gola. Kurse në radhët e skuadrës holandeze, anësori kosovar këtë sezon bëri gjithsej 18 paraqitje, duke shënuar edhe 8 herë, pa harruar as 6 asiste.
Tashmë 22-vjeçari, i cili ka luajtur 6 ndeshje me Kosovën, ka nisur një periudhë prove në Itali me skuadrën e Serisë B, Pescara. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, lojtari i lindur në Gjermani, synon të bindë drejtuesit e klubit peskarez për të luajtur në Serinë B. Te kjo skuadër mund të ketë mbështetjen e dy shqiptarëve të tjerë që luajnë atje, si Ledian Memushajn i cili është një lider në mesfushë, dhe Elhan Kastratin, që është portieri i dytë i klubit italian. Nëse Avdijaj kalon provën, mund të federohet që në këtë sezon për klubin italian, përderisa konsiderohet si lojtar i lirë.