Antonio Conte siguroi besimin e drejtuesve të Interit edhe për një sezon tjetër, ku ashtu siç flitet në brendësi të klubit zikaltër, synimi është arritja e titullit kampion. Për këtë arsye, Marotta dhe Ausilio i janë futur punës për të bërë disa përforcime tek skuadra, ku qëllimi është afrimi i talenteve të reja, por edhe i lojtarëve me eksperiencë. Pikërisht Ausilio ka folur për mediat italiane rreth merkatos së Interit, duke iu përgjigjur edhe disa pyetjeve që prej kohësh diskutohen mes tifozëve.
Milani ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për Sandro Tonalin, që shumë e shihnin si objektiv të Interit e madje kishte nga ata që thonin se zikaltërit kishin një marrëveshje paraprake për të. Ausilio ka shpjeguar se Tonali ka qenë një profil që u ka pëlqyer drejtuesve të Interit, por klubi nuk mund të shpenzonte aq shumë para për të. Për këtë arsye, Ausilio tha se mes Interit dhe Brescias nuk ka patur asnjë tratativë konkrete për Sandro Tonalin.
Sa i përket ‘ëndrrës Messi’, drejtori sportiv i Interit u përgjigj se diçka e tillë është e parealizueshme, për shkak të kostove të larta që ka një operacion i tillë. Ai surprizoi edhe me fjalët për N’Golo Kante, duke zbuluar se klubi i Interit nuk është interesuar për francezin dhe nuk patur asnjë bisedim me Chelsea në lidhje me mesfushorin, ku Contes i është propozuar të shohë me kujdes edhe situatën e Radja Nainggolan, i cili do të rikthehet nga huazimi.
Gjithsesi, drejtuesit zikaltër janë gati të plotësojnë një tjetër dëshirë të trajnerit të skuadërs. Arturo Vidal shihet gjithnjë e më pranë ribashkimit me Conten, ndonëse Ausilio nuk preferoi të komentonte më shumë rreth situatës së mesfushorit kilen.