Aulas thotë se është gati të luajë në fushë neutrale ndeshjen e kthimit ndaj Juventus!

Sport

Një nga surprizat e mëdha të ndeshjeve të para të fazës së 1/8-ave në ‘Champions League’ ishte padyshim edhe triumfi i Lyon në Francës ndaj një prej favoritëve kryesorë, Juventus. Suksesi ndaj torinezëve i ka dhënë jo pak besim skuadrës së Rudi Garcias, që fituan edhe përballjen e tensionuar ndaj Saint-Etienne në Francë, duke vijuar me formën e mirë. Pas fitores së Lyon, presidenti i klubit, Jean Michel Aulas u përpoq t’i mbante të gjithë ‘më këmbë në tokë’, duke thënë se këto triumfe ende nuk kanë ndryshuar asgjë për sezonin e ekipit. Megjithatë, vëmendje të madhe në intervistën e tij ka marrë çështja e sfidës së kthimit ndaj Juventus në ‘Champions League’.
Prej disa ditësh, kanë lindur spekulime se ‘UEFA’ po mendon të spostojë takimin mes Juventus dhe Lyon larg Torinos, për shkak të koronavirusit. Shumë njerëz nuk janë të bindur në mbarëvajtjen normale të takimit dhe tek ‘UEFA’ po punojnë për të marrë një vendim final. Aulas u shpreh se rreziku i përhapjes së virusit është konkret dhe se nga ana e tij dhe e klubit të Lyon, nuk do të ketë asnjë pengesë për të respektuar vendimin final që do të marrë institucioni më i rëndësishëm i futbollit europian, edhe nëse bëhet fjalë për të luajtur në një fushë neutrale. Numri 1 i klubit francez zbuloi një fakt interesant rreth frikës që ekziston për koronavirusin, pasi pak kohë më parë, skuadra nën 23 vjeç e Juventus ka qëndruar për disa ditë në karantinë për shkak të disa dyshimeve. 4 lojtarë nga kjo skuadër, janë stërvitur me ekipin e parë, çfarë për Aulas është diçka që duhet marrë në konsideratë.