Me Joao Felix të larguar drejt Chelsea, Atletico Madrid kërkon një lojtar në këmbim nga Blutë e Londrës. Skuadra madrilene synon të marrë shërbimet e Pierre Emerick Aubameyang deri në fund të sezonit. Vendi i lënë bosh nga portugezi duhet plotësuar dhe trajneri Diego Simeone mendon se gabonezi do ishte futbollisti i duhur për t’u bërë pjesë e organikës së tij.
Mirëpo, nga ana tjetër, Atletico ka treguar interes edhe për Memphis Depay, cili që prej verës së 2021-shit, është pjesë e Barcelonës. Hollandezi nuk është aspak i lumtur në “Camp Nou” dhe për këtë arsye një tjetër ambient, ndoshta do t’I shërbente për të gjetur formën e tij më të mirë.
Nëse Depay do të transferohej në “Estadio Metropolitano”, atëherë për Aubameyang do të ndryshonte destinacioni. Sipas raportimeve që vijnë nga mediat ndërkombëtare, nuk përjashtohet mundësia që sulmuesi I qendrës të rikthehet edhe një herë tjetër në Spanjë dhe më konkretisht tek Barcelona, aty ku do të zbarkonte për herë të dytë brenda një viti.
Në eksperiencën e tij të parë me fanellën blaugrana, Aubameyang arriti statistika mjaft pozitive, duke shënuar 13 gola në 24 ndeshje. Sidoqoftë, gjatë ditëve të ardhshme të merkatos së janarit do të saktësohet më në detaje se ç’do të ndodhë në aksin, Madrid-Londër-Barcelonë.