Pierre Emerick Aubameyang është drejt largimit nga Chelsea. Në verën që lamë pas, gabonezi u bë pjesë e Bluve të Londrës dhe pritshmëritë ishin mjaft të larta. Si fillim ai u bashkua edhe një herë tjetër me Thomas Tuchel dhe nën urdhërat e teknikut gjerman do të ishte udhëheqësi I sulmit të skuadrës nga Londra Perëndimore.
Megjithatë, situata nuk shkoi aspak sipas planit. Tuchel u shkarkua, ndërsa nën urdhërat e Graham Potter, Aubameyang ka kaluar në plan të dytë, aqsa është kthyer në një lojtar stoli. Tekniku britanik nuk është një admirues I aftësive të gabonezit dhe kjo u dallua në momentin kur sulmuesi mbeti jashtë listës së lojtarëve të ftuar në Champions League.
Në kushte si këto, Aubameyang kërkon të largohet nga Chelsea dhe kjo mund të ndodhë në verën e këtij viti, ndonëse me Blutë e Londrës ka një kontratë që I përfundon në 2024-tën. Si fillim, në Angli u raportua se futbollisti mund të transferohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, diçka e tillë nuk shihet si prioritet nga ana e lojtarit. Synimi I 33 vjeçarit është të transferohet në një tjetër klub europian, sepse beson se ka ende potencial për të dhënë në kontinentin e vjetër.
Nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të Aubameyang tek Barcelona. Duke marrë parasysh që nga katalanasit u largua Memphis Depay, atëherë në “Camp Nou” ka mbetur një vend bosh për t’u plotësuar. Të tjera zhvillime priten në lidhje me këtë çështje.