Atletico prezanton blerjen e katërt të kësaj merkatoje

Sport

Ashtu siç ishte lajmëruar, talenti portugez që i bëri të gjithë për vete në sezonin e shkuar, Joao Felix, është prezantuar si lojtari më i ri i Atletico Madrid. 19-vjeçari ishte përfolur si një objektiv i shumë skuadrave të mëdha europiane, por ‘los rojiblancos’ kanë qenë të vetmit të cilët ishin gati të tejkalonin shifrën e klauzolës për të firmosur me Joao Felix. Portugezi është cilësuar si zëvendësuesi i Antoine Griezmann, i cili duket se e ka të sigurt largimin nga skuadra, teksa Felix është krahasuar shpesh për shkak të aftësive të tij edhe me brazilianin Kaka’.

Portugezi është bërë blerja më e shtrenjtë e historisë së Atletico Madrid, me 126 milionë euro që shkuan në arkat e Benficas. Kontrata e firmosur prej tij është 7-vjeçare dhe do të ketë një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon, pa llogaritur bonueset. Joao Felix shihet si një nga yjet më të mëdha të futbollit europian në të ardhmen dhe sezonin e shkuar ishte vendimtar me paraqitjet e tij tek Benfica, ku në 43 ndeshje, realizoi 20 gola dhe 11 asiste.
19-vjeçari është blerja e katërt që realizon Atletico Madrid në këtë merkato verore. Madrilenët kanë afruar nga Porto mbrojtësin Felipe për 20 milionë euro, si edhe kanë nënshkruar me meksikanin Hector Herrera, që vjen si lojtar me parametra zero. Ndërsa më herët është arritur edhe marrëveshja me rivalët e Real Madrid, për të transferuar mesfushorin Marcos Llorente.