Fundjava ishte pozitive për Atleticon e Madridit që arriti një fitore me mjaft vlera në transfertën me Real Sociedad. Los Rojiblancos fituan falë dygolëshit të Alvaro Moratas, i cili realizoi dy herë brenda 3 minutash në pjesën e parë, mes të 30-ës dhe të 33-ës minutë. Kjo ishte dopjeta e tij e parë me fanellën e Atleticos dhe e cojnë totalin në 3 gola që kur është kthyer në Spanjë. Megjithatë 3 pikët ishin të vështira për t’u marrë nga Sociedadi pasi Koke u ndëshkua me të kuq dhe loja u detyrua të kishte tjetër qasje. Sidoqoftë Atletico e ruajti rezultatin 2-0 dhe mori 3 pikë me vlera. Los Rojiblancos fiksojnë vendin e dytë në kampionat me 53 pikë, duke iu larguar më tej Realit të Madridit që mbeti në kuotën e 48 pikëve.
Pikërisht Los Blancos humbën të shtunën sërish klasiken me Barcelonën. Pasi qenë mposhtur 3-0 në Kupën e Mbretit, lojtarët e Santiago Solarit nuk mundën të bënin gjë as në kampionat, atje ku u mundën sërish nga katalanasit. Rakitic ishte ai që kësaj here heshti stadiumin Santiago Bernabeu dhe e coi Barcelonën në kuotën e 60 pikëve. Reali tashmë nuk fiton ndaj Barçës që prej 13 gushtit të vitit 2017-të. Në këto 2 vite, ata kanë shënuar vetëm 4 gola kundrejt 12 që kanë shënuar katalanët. Fitorja 5-1 e tetorit që shkoi mbetet e papërtypshme. Për Solarin kjo ishte humbja e 3 në 5 ndeshjet e fundit. Bilanci flet për një skuadër që nuk di më të shënojë gola, vetëm 5 realizimet, 8 golat e pësuara, ndërsa distanca me Barcelonën tashmë është 12 pikë.