Atletico mund të fitojë ‘Champions League’-ën, Cerezo beson tek ëndrra e skuadrës së Simeones

Sport

Atletico Madrid i ka të gjitha shanset për të triumfuar në ‘UEFA Champions League’. Të paktën këtë beson presidenti i klubit madrilen, Enrique Cerezo, i cili thotë se skuadra e Simeones i ka të gjitha kapacitetet për të arritur suksesin më të rëndësishëm në kontinent. Një arsye që i bën ‘los rojiblancos’ të besojnë tek ëndrra e tyre, është edhe eleminimi që i bënë kampionëve në fuqi të kompeticionit, Liverpulit, në fazën e 1/8-ave. Sipas Cerezos, fakti që zbritën nga froni kaq shpejt një skuadër, të cilësuar aq perfekte sa ajo e trajnerit Jurgen Klopp, do të thotë se Simeone dhe të tijët mund të shkojnë vërtet larg në këtë sezon, edhe pse do të luhet pa tifozë. Mungesa e këtyre të fundit mund të ndikojë në performancat e Atleticos, që në fakt ka parë një lidhje të veçantë mes grintës së teknikut Simeone dhe dëshirës së tifozëve madrilenë për të arritur suksese të mëdhenj. Megjithatë, Cerezo këmbëngul se ky Atletico Madrid është një ekip shumë special dhe që do të dijë ta kthejë në avantazh nëse do të duhet mungesën e tifozerisë. Në fund, numri 1 i Atleticos foli edhe për çështjen e merkatos, ku shumë lojtarë të ‘los rojiblancos’ janë përfolur për një largim të mundshëm nga Madridi, sidomos Saul Niguez, i cili thuhet se kërkohet me ngulm nga Manchester United. Cerezo u shpreh se është normale që lojtarët të kalibrit të lartë do të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes në merkato, por deri më tani, nuk ka asnjë marrëveshje për largimin e tyre. Sa i përket Saul, Cerezo e mbylli duke thënë se mesfushori gjendet në një skuadër të madhe dhe se marrëdhëniet e tij me drejtuesit, bashkëlojtarët dhe tifozët janë më shumë se të mira.