E hëna ishte goxha e ngarkuar për klubin e Atleticos së Madridit, që njoftoi zyrtarisht ripërtëritjen e kontratave të dy prej lojtarëve kryesor të saj dhe nga ana tjetër njoftoi angazhimin e Thomas Lemar. Kështu Antoine Griezmann i dha fund të gjitha spekulimeve dhe pasi deklaroi se do të qëndronte, konkretizoi gjithcka duke hedhur firmën mbi kontratën e re që e lidh atë me Los Rojiblancosat deri në vitin 2023. Gazeta spanjolle AS analizoi se qëndrimi i Griezmannit te Atletico është me gjasa goditja më e fortë e merkatos për skuadrën e Cholo Simeones. Trajneri argjentinas gjatë sezonit të kaluar, mbajti një qëndrim liberal në çështjen e francezit dhe në asnjë moment nuk ushtroi trysni.
Ky qëndrim duket se u shpërblye me besimin që i ka dhënë sërish projektit Griezmann, i cili aktualisht po diskuton botërorin me Francën në Rusi. Nga ana tjetër, triumfi në Europa League duket se ka bindur edhe Lucas Hernandezin që të firmosë edhe ai për zgjatjen e kontratës. Ky i fundit ka ripërtërirë deri në vitin 2024, ndërsa nga sezoni i ardhshëm me Atleticon do të luajë Thomas Lemar. 23-vjecari francez i shumëkërkuar nga të gjitha klubet e mëdha, zgjodhi në fund projektin e Simeones, i ndikuar natyrisht edhe nga Griezmann. Operacioni për transferimin e tij në Wanda Metropolitano thuhet se ka kushtuar më tepër se 70 milionë euro. Lemar zëvendëson përfundimisht largimet që u bënë në janar prej Carrascos dhe Gaitan.