U përfol gjatë, sidomos pas një deklarate dashurie të pakushtëzuar ndaj Interit, por Diego Simeone do të jetë trajner i Atleticos edhe për vitin e ardhshëm. Argjentinasi 46-vjeçar thuhet se nuk do të largohet nga skuadra në momentin më të vështirë të këtyre 6-viteve në të cilat ai i ka drejtuar “Los Rojiblancos”-at. Sipas gazetës AS Simeone u ka komunikuar drejtuesve vullnetin e tij për ta përmbushur tërësisht kontratën, e cila përfundon në qershor të vitit 2018-të. Argjentinasi hasi në shumë kritika dhe diskutime, pasi deklaroi hapur në muajin nëntor se ëndrra e tij është që në një të ardhme të drejtojë Interin, ish-skuadrën me të cilën ka luajtur si lojtar në vitet 96-99. Në fakt ditëve të fundit, pas humbjes me Romën, në Itali u rikthye të flitet për një operacion sipas së cilit klubi i Interit po e shqyrtonte seriozisht idenë për ta angazhuar Simeonen si zëvendësues të Piolit. Kështu këto lajme kanë marrë përgënjeshtrimin nga AS. Simeone thuhet se ka nisur edhe punën për merkaton e verës. Ky sezon duhet thënë se është ndër më të vështirët për Atleticon. Los Rojiblancos u eliminuan nga Kupa e Mbretit në gjysmë-finale. Në kampionat pozitat kanë qenë të lëkundura. Me 45 pikë, 10 më pak se Reali, Atletico diskuton vendin e katërt me Real Sociedadin dhe Villarrealin. Ngushëllimi për Simeonen mbetet Champions League-a, ku ndaj Leverkusenit luan kualifikimin për në çerekfinale më 15 mars.