Lëvizjet e fundit të merkatos së Atleticos së Madridit kanë zgjuar një vëmendje deri në detaje të gazetarëve spanjoll. Huazimi për një vit i kroatit Sime Vrsaljko te Interi i ka lënë vendit angazhimit të kolumbianit Santiago Arias nga PSV Eindhoven. Në Holandë, Fox-Sports ka raportuar se klubi e ka lejuar lojtarin që të udhëtojë për në Madrid që brenda kësaj jave dhe gjërat janë drejt konkretizimit. 26-vjecari i cili luajti në botëror me Los Coffeteros, rezulton të ketë filluar e ta ndjekë në rrjetet sociale trajnerin Diego Simeone pak ditë më parë. Një shenjë që për gazetarët spanjoll është tejet domethënës për të ardhmen e tij në Wanda Metropolitano.
Arias në fakt ishte shumë i kërkuar nga Carlo Ancelotti te Napoli dhe ishte pranë një kalimi në Itali, por sipas mediave holandeze gjërat ndryshuan me interesimin e Atleticos. Ndërkohë mos-prezenca e Ariasit në foton zyrtare të PSV-ës tregon sërish se pretendimet e gazetarëve spanjoll janë me baza të vërteta. Arias me PSV-ën ka luajtur 4 sezone në të cilat u shpall kampion 3 herë. Ndërkohë nëse çdo gjë shkon mirë, Atletico do të realizonte kështu një tjetër goditje në merkato pas Thomas Lemar, Rodri dhe Gelson Martins. Shifrat e shpenzuara deri më tani i kalojnë 100 milionët, por nëse këto lëvizje kanë qenë me leverdi, do të tregohet qartë më 15 gusht në super-finalen e Evropës Real-Atletico.