Atletico Madrid kërkon të nënshkruajë me Rakitic gjatë merkatos verore

Sport

Ivan Rakitic mendohej të ishte shumë pranë largimit gjatë merkatos së janarit, por gjërat për mesfushorin kroat ishin mjaft të ndërlikuara. Për këtë arsye, largimi i tij nga Barcelona thuhet se do të ndodhë vetëm në fundin e këtij sezoni, gjatë merkatos verore. 31-vjeçari nuk është i kënaqur me minutazhin tek katalanasit dhe kërkon të nisë një aventurë të re. Ofertat për të nuk mungojnë, pasi që më herët, interes për transferimin e tij kanë shfaqur skuadra si Inter apo Manchester United. Megjithatë, sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, destinacioni i ardhshëm i Ivan Rakitic mund të jetë Atletico Madrid. ‘Los rojiblancos’ kërkojnë me ngulm të përforcohen në mesfushë dhe duke parë situatën e Rakitic tek Barcelona, ata mendojnë të përfitojnë për të afruar një lojtar të klasi të lartë si kroati. 31-vjeçari u bë pjesë e Barcelonës në vitin 2014, kur u transferua nga Sevilla.

Aktualisht, ai ka një kontratë që e mban të lidhur me katalanasit deri në mesin e vitit 2021. Gjasat që Rakitic të rinovojë me Barcelonën janë të pakta dhe shumë media në Spanjë flasin për nisjen e bisedimeve mes drejtuesve të Atletico Madrid dhe përfaqësuesve të lojtarit. Nëse do të arrihet një marrëveshje verbale me Rakitic, Atletico do të hidhet në sulm për të gjetur marrëveshjen e duhur edhe me Barcelonën, që duke parë se lojtarit i skadon kontrata në fundin e sezonit të ardhshëm, do të kërkojë të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij. Problemi i Atletico në këtë aspekt është edhe konkurenca, pasi shumë skuadra janë gati të hapin një ankand për shërbimet e mesfushorit kroat.