Atletico Madrid, Griezmann i kërkon Unitedit 22 milionë euro pagë

Sport

Antoine Griezmann

Antoine Griezmann do një pagë prej 22 milionë eurosh që të kalojë te Manchester United. Eshtë ky raportimi që bëjnë në Angli ndërsa francezi i Atleticos tanimë kërkohet edhe nga Barcelona, kjo e fundit gjithmonë e më pranë. Në Madrid tashmë e dinë se e kanë të vështirë ta mbajnë 26-vjecarin përtej verës së vitit 2018-të dhe thuhet se mirëpresin që cilido klub që mund ta përballojë klauzolën prej 100 milionësh të nisë bisedimet me vetë lojtarin. AS shkruan se projekti afatgjatë i Los Rojiblancos parashikon investime për sezonin e ardhshëm kjo pasi në vitin 2019-të finalja e Champions League-ës do të luhet në Metropolitano dhe Atletico synon që të përfitojë para me Griezmannin për t’i hedhur më pas në merkato për lojtarë të tjerë. Objektivi është arritja medoemos e finales. Në këtë dinamikë Griezmann thuhet se po luan bllofin duke nxitur një lloj ankandi mes Barças dhe United-it. Mirror shkruan se 400 mijë paundë në javë janë shumë para, ndërsa The Sun raportoi të hënën se oferta fillestare e United-it për Griezmannin ishte 290 mijë. 26-vjecari e ka shprehur gjithmonë faktin se është një tifoz i “Djajve të Kuq” por përballë një interesimi edhe të katalanasve, në Spanjë thonë se ai është i dyzuar. Ndërkohë nëse lëviz edhe 100 milionë të tjera për Griezmannin, Barcelona do ta çonte faturën e shpenzimeve në më shumë se 400 milionë duke përllogaritur transferimet e Dembele dhe Coutinho që kushtuan 300.