Atletico M.-Juve, Simeone i frikësohet sërish Ronaldos

Sport

D.Simeone (trajner i Atletico M.): “Gjithmonë sfidat me Juventusin janë të vështira. Por më e vështirë të përgatisësh një kurth për të ndalur Cristiano Ronaldon. Ai është një bishë përpara portës. Ka një aftësi realizuese të pabesueshme dhe në çdo situatë afër zonës, ai është gjithmonë i rrezikshëm. Natyrisht që nuk do të jetë i lehtë për t’u kontrolluar, por do të bëjmë ç’mos për t’ia dalë mbanë. Kemi vuajtur disa herë përballë një lojtari si ai. Ndonjëherë është radha jonë për të fituar, por ndonjëherë tjetër edhe kemi humbur. Sidoqoftë, skuadra ka stimujt e duhur për të bërë një paraqitje sa më të mirë”
José Giménez (mbrojtës i Atletico Madrid): “Nuk do të thoja se kjo është ndeshja e revanshit. Na pret një duel krejt tjetër. Madje ka edhe shumë lojtarë të rinj nga sfida e fundit që luajtëm kundër Juventusit. Entuziasmi për të nisur këtë kompeticion është vërtet i madh. Duam të luajmë çdo ndeshje si përherë. E dimë rëndësinë e sfidës së parë, prandaj do të ishte madhështore nëse arrijmë të startojmë me këmbën e mbarë”.


Maurizio Sarri (trajner i Juventusit): “Ne jemi Juventusi dhe sigurisht që për ne, objektivi është gjithmonë të fitojmë ndeshjet. Duam të përballojmë këto takime të fazës së grupeve me vendosmëri sa më të madhe. Mirëpo nuk kemi përse të përfshihemi nga presioni, përderisa mbi të gjitha, duhet që të argëtohemi në fushë. Atleticon do ta konsideroja midis skuadrave që mund të fitojnë këtë Champions League. Me karakteristikat dhe lojtarët që zotërojnë, spanjollët them se mund të mundin çfarëdo kundërshtari. Prandaj duhet të kemi shumë kujdes, sidomos për faktin që këtë ndeshje të parë, ata e luajnë në shtëpi”.
Leonardo Bonucci (mbrojtës i Juventusit): “Do të jetë një betejë e vërtetë. Gjithsesi, ne jemi përgatitur për një ndeshje të madhe që prej minutës së parë. E ndiejmë veten shumë energjikë dhe me motivim të madh. Nuk është në ADN-në tonë që të kërkojmë të luajmë për një barazim në ndeshjen tonë të parë. Synojmë të marrim maksimumin e mundshëm nga kjo transfertë. Megjithëse është vetëm fillimi, ne duam të tregojmë se jemi në rrugën e duhur për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni”