Atletet e përdorura nga Michael Jordan shiten në ankand për një shifër rekord!

Sport

Michael Jordan mbetet një nga figurat më të rëndësishme, jo vetëm të historisë së basketbollit, por e të gjithë sportit në përgjithësesi. Jordan ia doli të fitonte 6 tituj kampionë të NBA me skuadrën e Chicago Bulls, duke qenë pjesë e një prej skuadrave që konsiderohet si ndër më të mirat që ka shkelur në parketin amerikan. Por trashëgimia që ‘MJ’ ka lënë pas vijon të ‘dominojë’ botën edhe sot. Së fundmi në një ankand online, janë shitur atletet e përdorura nga Jordan në vitin e tij si debutues, më 1985-ën. Atletet në fjalë janë të firmosura nga ylli i basketbollit dhe janë shitur për një shifër rekord prej 560 mijë dollarësh, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosura po nga disa atlete të tjera të firmës ‘Nike’ të vitit 1972, që ishin shitur për rreth 438 mijë dollarë.

Modeli ‘Air Jordan 1s’ të shitura në ankandin online i përkisnin Jordan Geller, i cili është edhe themeluesi i muzeut të parë të atleteve në botë. Këto janë bërë zyrtarisht atletet më të shtrenjta të historisë dhe Geller pranoi se u shty t’i shiste edhe për shkak të dokumentarit të fundit të dedikuar legjendës së basketbollit, të quajtur ‘The Last Dance’. Fillimisht, ankandi ishte parashikuar të arrinte deri në shifrën e 150 mijë dollarëve, por duket se interesi për të patur atletet e veshura nga Michael Jordan në një ndeshje të tij me Chicago Bulls ka qenë më i madh se sa ishte menduar.