Diego Simeone, trajneri i Atl.Madrid:
“Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme, por Zoti është i vetmi që e di se çfarë do të ndodhë sonte. Personalisht ndihem shumë mirë. Futbolli është një sport, që ka skenare të ndryshme brenda një ndeshjeje. E dimë se do të kemi momente të vështira në mbrojtje, por e dimë gjithashtu se do të kemi edhe momente pozitive. Kualiteti, apo freskia do të varet nga lojtarët që do të zbresin në fushë. Ata janë në avantazh, ndërsa ne do të përpiqemi që shënojmë golin e barazimit.
Përmbysja padyshim që është e mundur. Unë kam shumë besim tek lojtarët e mi, në skuadrën time. Unë e di mirë se çfarë zemre kanë futbollistët e mi dhe ne do të japim maksimumin për të qëndruar në Champions League. objektivi ynë është të shkojmë në finale.
Do të luajmë në këtë ndeshje sipas planit tonë. Njerëzit ndoshta kanë një tjetër mendim, por realiteti është ajo se çfarë ndodh në fushën e lojës. Nuk do të shkojmë për të fituar, duke u bazuar në atë që thuhet jashtë fushës. Duhet të luajmë një ndeshje të madhe. E kuptoj se kjo është një mbrëmje shumë e madhe dhe uroj që këtë ta tregojmë në tapetin e gjelbërt.
Real Madrid? Ata i karakterizon një lojë me vertikalizime, por ne jemi një skuadër e bashkuar, që i përshtatemi lojës së kundërshtarit, duke bërë pressing lart, duke u mbrojtur mirë, apo edhe duke qarkulluar topin. Dimë të bëjmë mirë gjithashtu edhe pa top. Jemi disa orë përpara ndeshjes dhe jemi entuziastë. Sonte luajmë në stadiumin tonë, me tifozët tanë. Kjo gjë më emocionon dhe mendoj se mund t’i ndodhë çdokujt.”
Rodrigo De Paul, mesfushori i Atl. Madrid:
“Mendoj se sonte kemi nevojë për kontributin e të gjithëve. Sigurisht që aspekti psikologjik është i rëndësishëm, por po aq vlerë ka edhe aspekti taktik, apo edhe psikologjik. Nëse duam të kualifikohemi në raundin tjetër, duhet të jemi gati. Këto janë ndeshje, të cilat, duhet edhe t’i shijosh njëkohësisht. Duhet të qëndrojmë të bashkuar, sepse vetëm në këtë mënyrë do t’i krijojmë vetes mundësinë për të kaluar në fazën tjetër.
Në futboll nuk është e thënë që fiton vetëm nëse tregohesh superior ndaj kundërshtarit. Rëndësi ka kush shënon më tepër gola. Ne luajtëm një ndeshje të mirë në Bernabeu, por kjo gjë nuk mjaftoi që të merrnim një rezultat pozitiv. Duhet të tregohemi të zgjuar për të shënuar gol dhe gjithashtu duhet të ruajmë qetësinë.”
Carlo Ançelotti, trajneri i Real Madrid:
“Jemi në formë të mirë. Në Champions League jemi gjithmonë të motivuar. Do të jetë një ndeshje e vshtirë, por ne kemi besim se mund të vazhdojmë përpara, sepse ky është një kompeticion i veçantë për ne.
Ne vazhdojmë të ëndërrojmë në Champions League, ashtu siç kemi bërë në vitet e shkuara. Këtë vit është më e vështirë, por ne kemi të njëjtin besim dhe dëshirë deri në ndeshjen e fundit.
Kam më shumë se 11 lojtarë që mund të luajnë në këtë ndeshje. Futbollistët të cilët nuk do të jenë titullarë, por do të aktivizohen nga stoli, do të kontribuojnë gjithashtu. Një ndërrim i mirë, mund të bëjë diferencën në një përballje të tillë.
Nëse vrapon, mund të barazosh, por nëse bën diferencën në lojë, atëherë, me shumë mundësi, do të fitosh. Synimi ynë është të kualifikohemi në çerekfinale, pavarësisht se cilët do të jenë lojtarët që do zbresin sonte në fushë.
Praktikimi i penalltive është i vështirë, por nuk po mendojmë për këtë gjë tani. Po marrim në konsideratë mënyrën sesi duhet t’i qasemi ndeshjes. Ne duhet të sigurohemi që lojtarët të jenë të përqendruar, si në qarkullimin e topit, qoftë edhe pa të. Motivimi dhe presioni do të jenë deri në qiell. Së pari duhet të garantohemi në aspektin taktik, sepse emocioni, motivmi, apo edhe dëshira për të dhënë gjithçka, është aty.
Atletico? S’mund të parashikoj dot se çfarë do të ndodhë gjatë lojës. Preferoj të përqendrohem në skuadrën time. Duhet të mendojmë se si do të sulmojmë dhe se si do të mbrojmë, apo si të depërtojmë në mbrojtjen kundërshtare. Atletico mund të luajë në mënyra të ndryshme; në mbrojtje, në sulm, apo me kundërsul… por, edhe Real Madrid mund të bëjë të njëjtëj gjë.
Sa i përket përgjegjësisë, përgjegjësit kryesorë në një fitore janë lojtarët, ndërsa kur skuadra nuk fiton, dihet se kush fajësohet. Të gjithë trajnerët e kanë mjaft të qartë këtë gjë. Por, kjo nuk është asgjë e re dhe unë jam mëse i vetëdijshëm në këtë drejtim. Ajo që mund të them se unë po bëj punën që dua, kështu që e marr parasysh edhe përgjegjësinë që vjen nga pas.
Diego Simeone? Mendoj se ai është një trajner i jashtëzakonshëm. Të dy kemi ide të njëjta rreth futbollit. Kam shumë respekt për punën e tij, ai është fantastic.”
Aurelien Tchouameni, mesfushori i Real Madrid:
“E gjithë skuadra është gati për ndeshjen e sotme. E dimë se do të jetë e vështirë, në veçanti për faktin se luajmë në transfertë. Por, do të japim gjithçka në fushën e lojës. Jemi në formë të mirë dhe synojmë të fitojmë trofe edhe këtë sezon. Kemi një skuadër të pabesueshme. Jemi kthyer në mbështetje të njëri-tjetrit përgjatë gjithë sezonit. Por, gjëja më e rëndësishme është t’i marrim ndeshjet me radhë. E dimë se për ne thuhen shumë gjëra në media, por kjo nuk është aspak problem për ne. Trajneri, stafi dhe klubi, janë gjithmonë të bashkuar. Ne e ndihmojmë njëri-tjetrin të fitojmë ndeshje të luajmë futboll të mirë.
Atletico? Mendoj se ata do të bëjnë një lojë shumë sulmuese. Por, ne e dimë se çfarë duam të marrim nga kjo ndeshje, në veçanti në mbrojtje dhe në mesfushë. Kemi fituar ndeshjen e parë, por nuk kemi ardhur këtu për të marrë barazim. Ne duam të fitojmë edhe sonte gjithashtu. Nëse duam të dalim me rezultat maksimal nga ky stadium, duhet të japim gjithçka në sulm dhe në mbrojtje.”