Nuk ka fitues në ndeshjen e javës së 25 mes Atalantës dhe Juventusit. Takimi i luajtur në Bergamo është mbyllur me shifrat 1-1. Pas një pjese të parë pa gola, në fraksionin e dytë, Ruslan Malinovski kaloi vendasit në avantazh në minutën e 76-të, duke krijuar idenë se të besuarit e Gasperinit do arrinin një fitore me shumë vlera ndaj bardhezinjve.
Mirëpo, pikërisht kur re të zeza filluan të dukeshin në anën e Zonjës së Vjetër, për t’i nxjerrë nga kjo situatë dhe për të shmangur humbjen, ka menduar mbrojtësi Danilo, i cili në minutën e 92, shfrytëzoi në maksimum pasimin e marrë nga Paulo Dybala dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar sfidën.
Në fakt, një sfidë e tillë ishte konsideruar jetike për zonën Champions me të dyja skuadrat që ndodhen përkatësisht në vendin e 4 dhe të 5-të të tabelës së klasifikimit. Juventusi me 46 pikë, kurse Atalanta me 44, por që zikaltërit kanë një ndeshje më shumë për të rikuperuar.
Pas mbylljes së takimit, trajneri i Atalantës, nuk ka qenë edhe aq i kënaqur me arbitrimin italianit Maurizio Mariani e në këtë mënyrë nuk ka preferuar të flasë në konferencën për mediat. Nga krahu tjetër, Massimiliano Allegri është shprehur se do të ishte padrejtësi nëse Juventusi i tij do dilte me humbje nga fusha e lojës, pasi ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë nga ana teknike.
Në fund, takticieni livornez ka thënë se objektivi i skuadrës së tij është të sigurojë sa më parë një vend për në Champions League sezonin e ardhshëm, duke përjashtuar këtu çdo mundësi në luftën për titull. Sipas tij, Juventusi ka mbetur jashtë garës për titull disa javë më herët. Allegri ka thënë se Interi mbetet ekipi favorit për t’u kurorëzuar kampion i Serisë A për këtë edicion futbollistik.