Atalanta konfirmon edhe një herë tjetër formën jo pozitive në fazën finale të kampionatit. Në atë që ishte ndeshja e fundit e javës së 35-të, bergamaskët nuk shkuan më shumë sesa barazimi 1-1 me Salernitanën në shtëpi.
Madje, zikaltërit e kanë shmangur disfatën vetëm në minutën e 88-të, atëherë kur Mario Pasaliç riktheu barazpeshën e rezultatit, teksa miqtë e kishin marrë avantazhin që prej minutës së 27-të me anë të Ederson Lourencos.
Në 8 ndeshje ndaj skuadrave të ngjitura në Serinë A, Pasaliç është përfshirë në 10 gola, me 8 finalizime dhe 2 asist. Kjo ishte një pikë, që vlen vetëm si statistikë për Atalantën, që tanimë renditet në vendin e 8-të të tabelës së klasifikimit me kuotën e 56 pikëve. Me 3 javë të mbetura deri në fund të Serisë A, bergamaskët kanë mbetur matematikisht jashtë Champions League. në këtë mënyrë, ekipi i drejtuar nga Gian Piero Gasperini, në pamundësi për të arritur kompeticionin më madhor të klubeve, do tentojë të kualifikohet në Europa League, ose në UEFA Conference Ligue.
Në krahun tjetër, Salernitana po përjeton një moment fantastik, çka mund të konsiderohet padyshim edhe si surpriza e kësaj faze të sezonit. Vetëm disa javë më parë, klubi me bazë në Salerno dukej sikur e kishte prerë biletën për në Serinë B, mirëpo së fundi situata ka ndryshuar në mënyrë drastike për skuadrën e drejtuar nga Davide Nicola.
Edhe pse kanë një ndeshje të prapambetur, sikurse është ajo ndaj Venezias, që do të luhet të enjten, 3 fitore në 4 javët e fundit, e kanë ngjitur Salernitanën në kuotën e 26 pikëve në vendin e 18-të. Me fjalë të tjera, me 3 javë të mbetura deri në fund, klubi nga jug-perëndimi I Italisë, tashmë e ka vetë në dorë çështjen e mbijetesës në Serinë A.