Atalanta do të ketë mungesë të rëndësishme ndaj Barcelonës në Champions League

Sport

Atalanta do të jetë me një mungesë të rëndësishme në ndeshjen ndaj Barcelonë në Champions League. Fjala është për Ademola Lookman, i cili në stërvitje, ka pësuar një dëmtim në gju dhe si pasojë, nuk do të jetë gati për të luajtur ndaj skuadrës katalanase të Mërkurën mbrëma. Siç përcillet nga mediat italiane, ndonëse kjo nuk është e konfirmuar, Lookman pritet të mungojë rreth një muaj, kështu që shqetësimi për trajnerin Gianpiero Gasperini, shkon përtej ndeshjes me Barcelonën.

Ndaj katalanasve, Atalanta do të luajë një sfidë mëse të rëndësishme, vendimtare për kualifikimin direct në raundin e 1/8-ave, ndryshe nga Barcelona, që kualifikimin e siguroi falë fitores ndaj Benficas në javën e shtatë të Fazës së Ligës.

Në Champions, Atalanta renditet në vendin e 7 të tabelës me 14 pikë. Kjo do të thotë, se një fitore në Barcelonë, do të garantonte automatikisht një kualifikim direct të skuadrës zikaltër në raundin e 1/8-ave të kompeticionit.

Sa i përket situatës në kampionat, Atalanta është në vendin e tretë, por po kalon një periudhë të vështirë rezultatesh, ndërsa fitorja e fundit e arritur në fushën e Comos, mund të shërbejë si një pikë kthese për skuadrën e Bergamos.

Deri në këtë fazë të sezonit, Lookman ka qenë shumë venditmar për skuadrën bergamaske. 14 gola të shënuar në 24 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, janë një statistikë e mjaftueshme për të kuptuar rëndësinë e nigerianit në formacionin e ekipit të drejtuar nga trajneri Gasperini.