Atalanta dhe Interi kaluan të fundit finishin për në Champions League nga Serie-A. Pas plot javësh llogaritje dhe sfida në distancë, përballjet e fundit mbërthyen me emocione, sidomos tifozët e Interit. Zikaltërve u duhej me patjetër të fitonin ndaj Empolit. Keita dha entuziazëm me golin e parë, por shpërdorimi i një penalltie nga Icardi trazoi pasiguri, si te skuadra po ashtu edhe te tifozët dhe rreth 15 minuta më vonë Traore barazoi. Teksa Interi ishte 1-1, Milani po fitonte ndaj Spalit 3-2. Një ndeshje goxha e vështirë për skuadrën e Gattusos u zgjidh nga loja e mirë e dyshes Calhanoglu dhe Kessie, ky i fundit shënoi një dygolësh, por në fund sidoqoftë kjo nuk mjaftoi. Fitorja 3-2 e Milanit në transfertën me SPAL u çbë nga rezultati në Giuseppe Meazza.
Radja Nainggolan realizoi 9 minuta përpara fundit dhe çoi peshë gjithë stadiumin. Empolit i bënte punë edhe 1 pikë për të qëndruar në Serie-A dhe ata dhanë maksimumin, por Samir Handanovic ishte gjithmonë prezent në portë. U mbyll 2-1 dhe Interi rrëzoi në Serie-B Empolin, dhe bashkë me të edhe Milanin në Europa-League. Falë kësaj fitoreje zikaltërit e mbyllën të katërtit me 69 pikë sa Atalanta. Skuadra Bergamaske nga ana e saj fitoi gjithashtu me vështirësi ndaj Sassuolos. Për skuadrën e Gasperinit vendimtar rezultuan Gomez dhe Zapata, por edhe fakti se Berardi u nxorr me të kuq nga Sassuolo. Atalanta arrin kështu për herë të parë në historinë e saj të marrë pjesë në Champions League.