Lazio mund Atalantën dhe rikthehet sërish në garë për vendin e katërt. Në Bergamo, skuadra kryeqytetase fitoi me rezultatin minimal 1-0, me golin e shënuar në minutën e 54 nga Gustav Isaksen. Kaq ishte mjaftueshëm për të kaltërit për t’u larguar me pikë të plota nga shtëpia e Atalantës. Kështu, Lazio është ngjitur në vendin e gjashtë të tabelës së klasifikimit, në kuotën e 55 pikëve, vetëm një hap larg vendit të katërt. Kur deri në fund të Serie A kanë mbetur edhe 7 javë të tjera, ekipi i drejtuar nga Marco Baroni ka të gjithë të drejtën të besojë se në edicionin pasues mund të luajë në Champions League. Vetëm se për ta realizuar këtë gjë, duhet fituar konkurenca me skuadrat e tjera që luftojnë për të njëjtin objektiv. Bologna, Juventusi, Roma, edhe Fiorentina, synojnë gjithashtu vendin e katërt. Sa i përket Atalantës, ekipi bergamask po pëson rënie pikërisht kur nuk duhej. Zikaltërit tani janë mundur 3 ndeshje radhazi në Serie A. Nuk ndodhte që nga viti 2014 që Atalanta të mposhtej në 3 sfida radhazi dhe të mos shënonte dot të paktën një gol. Si pasojë, kur deri përpara disa javësh, skuadra e drejtuar nga Gian Piero Gasperini ishte në garë për titullin kampion, tani ka zbritur në vendin e 3 në kuotën 58 pikëve, plot 10 pikë larg vendit të parë. Në këtë mënyrë, objektivi kryesor i bergamaskëve është të sigurojnë një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm futbollistik.
