Aston Villa vs Club Brugge, TS3 HD, 21:00

Sport

Unai Emery, trajneri i Aston Villa:

“Asgjë nuk ndryshon, pavarësisht avantazhit prej dy golash që kemi nga ndeshja e parë. Ky është futboll dhe gjithçka mund të ndodhë. Gjërat brenda një takimi mund të ndryshojnë shumë shpejt. Në fushën e Brugge, ne fituam me dy aksione të shpejta në fund, kështu që duhet të kemi shumë kujdes. Jemi gjithashtu gati edhe nëse përballja shkon në kohën shtesë. Madje, jemi përgatitur edhe për penalltitë.

Sfida që kemi në Champions League është e jashtëzakonshme. Duam të arrim diçka për klubin dhe për tifozët. Duam të shkruajmë histori. Por, për t’ia dalë mbanë, duhet të kemi parasaysh që gjithçka mund të ndodhë. Duhet të ndjekim idetë tona ashtu si më parë. Rezultati është 3-1, por ata mund të shënojnë. Për këtë gjë, ne kemi eksperiencë nga ky sezon, teksa ishim duke fituar 2-0 ndaj Celtic dhe në 5 minuta, ndeshja shkoi në barazim.

Futbolli nuk është asnjëherë i njëjtë dhe mua më pëlqejnë lojtarët që luajnë në pozicione të ndryshme dhe që kanë aftësi të mirë për të kuptuar taktikat e lojës. Një prej tyre në skuadër është Morgan Rogers, e po ashtu edhe John McGinn. Përpiqem që lojtarët të përshtaten në role të ndryshme dhe të jenë gati kur të kemi nevojë për diçka të tillë.”

 

Nisky Hayen, trajneri i Club Brugge:

“E dalloj në dhomat e zhveshjes se lojtarët kanë ende besim. A do të jetë e lehtë? Sigurisht që jo, por në futboll, kemi parë që çdo gjë është e mundur. Duhet të shënojmë dhe kjo do të jetë ambicia jonë përgjatë mbrëmjes së sotme. Në të dyja ndeshjet që kemi luajtur ndaj Aston Villa këtë sezon, qoftë në Fazën e Ligës, apo edhe në raundin e parë me eliminim, ne kishim shanset tona për të fituar. Duhet të luajmë me kurajë, të përdorim mirë hapësirat që do të krijohen mes reparteve dhe të tregohemi të saktë në rastet që do të na paraqiten. Më pas, asgjë nuk mund të parashikojmë dot se çfarë do të ndodhë në fushën e lojës.”