Aston Villa me ‘sytë’ nga Milani, synohen Piatek dhe Pepe Reina

Sport

Pas mbërritjes së Ibrahimovic, klubi i Milanit është i gatshëm të dëgjojë ofertat për Krzysztof Piatek, i cili gjatë këtij sezoni nuk ka shfaqur një formë të mirë. Ndryshe nga sezoni i shkuar, sulmuesi polak po has shumë vështirësi në gjetjen e golit, çfarë shtyu drejtuesit të arrinin një marrëveshje me Ibrahimovic. Por për Piatek merkato nuk mungon. Janë disa skuadra që kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e tij. Në Angli, Aston Villa duket e gatshme të ofrojë 30 milionë euro për ta transferuar lojtarin në Birmingham, ofertë kjo që është më e ulët se sa pretendimet e klubit kuqezi. Drejtuesit e klubit nga ‘Premier League’ shpenzuan jo pak gjatë merkatos verore për të përforcuar skuadrën. Një investim i rëndësishëm ishte edhe sulmuesi brazilian, Wesley, i cili kaloi nga Club Brugge për 25 milionë euro, por që në kampionat deri më tani ka realizuar vetëm 5 gola.

Kështu, në Birmingham shpresojnë që Piatek të mund të rigjejë veten në një ambjent të ri dhe të shfaqë edhe njëherë atë që tregoi kur luante tek Genoa, apo edhe në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar tek Milani. Palët do të tentojnë të hyjnë në bisedime për të gjetur një marrëveshje të kënaqshme për të dyja skuadrat. Për më tepër, Aston Villa interesohet edhe për një lojtar tjetër të italianëve. Portieri veteran Pepe Reina shihet si një vlerë e shtuar për ekipin anglez në gjysmën e dytë të sezonit, sidomos pas dëmtimit të gardianit të anglezëve, Tom Heaton. Për Milanin, arritja e një marrëveshjeje për Reinan do të ishte mjaft me interes nga ana ekonomike, por deri më tani, nuk ka patur asgjë konkrete.