Përpara një viti, në këtë periudhë, Kristjan Asllani debutonte me Kombëtaren shqiptare në një miqësore të luajtur në Barcelonë kundër Spanjës. Atëherë kur konfirmoi se kishte marrë fluturimin pas paraqitjeve si titullar tek Empoli. Një vit më pas, mesfushori nga Elbasani është ende në përfaqësuese, ku tekniku Silvinjo e ka grumbulluar dhe ka shumë besim tek ai në këtë cikël të ri kuqezi, megjithëse lojtari nuk sheh fushën me Interin.
Me zikaltërit, Asllani është kthyer në një mister të vërtetë, gjë që e kanë ngritur si cështje edhe mediat italiane. Inzagi vazhdon ta konsiderojë pa përvojën e duhur, kështu që lojtari nuk zbret në fushë prej 8 ndeshjeve radhazi. Përkundër kësaj, duhet thënë se sa herë që ka luajtur, vetë futbollisti kuqezi ka shfaqur potencial të madh sa i takon cilësive të tij. Ndonëse deri tani numëron në llogarnë e tij vetëm 556 minuta aktivizim në të gjithë kompeticionet.
Ndërkohë, te Shqipëria kanë ndërmend të mbështetetn tek ai. Silvinjo duket se e sheh si një nga elementët kryesor dhe ka ndërmend t’ia dorëzojë atij celësat e mesfushës, që ai ka në mendjen e tij për këtë Kombëtare. Sigurisht që mbi të ardhmen e tij nuk ka dyshime as Interi, i sigurt se lojtari i datëlindjes 2002, do të jetë një aset i rëndësishëm për vitet e ardhshëm. Mirëpo pikëpyetjet mbi të tashmen janë të shumta.
Asllani ka qenë blerja e vërtetë e verës për zikaltërit. Dhe përkundër investimit të rëndësishëm që shkon në 17 milionë në total, nuk është aktvizuar as në situata emergjente në mesfushë, apo me rastin e një kalendari të ngjeshur me impenjime. Interi shpreson ta shohë “pasurinë” e vet sa më shpejt në fushë. Drejtuesit i kanë kërkuar edhe tekniku Inzagji sa më tepër minutazh për lojtarin e ri. Ndoshta, mund të ndodhë që vetë Asllani, në sfidën e 27 marsit kundër Polonisë në Varshavë, të arrijë të bie në sy me paraqitjen e tij në radhët e kuqezinjve të Shqipërisë. Aq sa mund t’i bëjë përshytpje edhe teknikut të Interit, i cili mund të fillojë ta konsiderojë më shumë, duke ditur se përpara është një muaj prill ku do të luhet cdo tri ditë. Përderisa Interi do të jetë i impenjuar jo vetëm në Serie A dhe në cerekfinalet e Champions League ndaj Benficas, por edhe në Kupën e Italisë, ku e presin dy gjysmëfinale vajtje-ardhje me Juventusin.