Pjesa më e madhe e eventeve sportive, të vogla apo të mëdha janë anuluar, shtyrë, apo riskeduluar për shkak të pandemisë nga virusi korona. Futboll, basketboll, Formula 1, Tenis, gara me kuaj e deri te Olimpiadat 2020, bota e sportit është ndalur, si në Luftën e dytë botërore. Pyetja që bëjmë të gjithë është një: “Kur do rifillojë ? Kampionati Champions, Bundesliga dhe të gjitha eventet që duam aq shumë ?”. Për përgjigjen e kësaj pyetjeje do të na flasë më shumë kryeredaktor i departamentit të sportit në Tring, Erivn Nikolla.
Cila është ngjarja tjetër botërore që ka krijuar një “pushim” kaq të gjatë të aktivitete sportive?
Situata e krijuar nga Covid -19 nuk njeh precedentë të mëparshëm. As luftërat dhe as pandemi si kolera, nuk kanë ndalur futbollin dhe sportin në përgjithësi në një nivel të tillë, në mbarë planetin.
Pavarësisht se ka vende si Bjellorusia, që kanë vijuar me aktivitetet, sporti elitar është ndalur gjithandej. Po ju jap një shembull nga vendi fqinj, Italia, ku futbolli u ndal vetëm kur vendi u përfshi në luftën e parë botërore. Në çdo rast tjetër, sporti ka vijuar, qoftë edhe me periudha të shkurtra ndërprerjeje, por kurrsesi në të tillë nivel.
Si është situata në botën e sportit? A ka frikë, pasiguri, dëshirë dhe nevojë për rikonstrukturim?
Situata është e paqartë, ka pasiguri gjithandej, por kjo nuk i zbeh përpjekjet për rifillim. Sporti në ditët e sotme dhe sidomos futbolli vlen miliarda, ndaj gjithandej nxitohet për të reduktuar dëmet e kësaj situate. Është folur se ekonomia botërore do ta vuajë këtë krizë, por pjesë e rëndësishme e xhiros së parasë është sporti, i cili nuk mund të jetë i papërfillshëm, madje është krejt e kundërta. Vende të ndryshme po përpiqen të marrin masa për rifillim, ka mendime dhe opnione kontradiktore, por më së shumti synohet rifillimi sa më i shpejtë i aktivieteteve të lëna përgjysmë.
Sporti është një industri fitimprurëse, sa të mëdha kanë qënë humbjet në para gjatë këtyre dy muajve?
Sporti është industri që qarkullon shuma marramendëse. Humbjet janë po të tilla. Po e nis nga ajo që është me prekshme aktualisht, klubet kuotohen në bursa dhe çdo ditë humbjet e klubeve kryesore llogariten në dhjetëra milionë euro. Dëmet e tjera nuk janë zyrtare dhe shifrat mund të jenë të sakta vetëm kur ky sezon të përfundojë, por po ju them se skuadrat e 5 kampionatet kryesore të Evropës, qarkullojnë 4 miliardë euro vetëm në pjesën e pakonsumuar të sezonit. Vetëm Premier Liga Angleze kap shifrën e 1 miliardë eurove, ku përfshihen arketimet e munguara nga biletat, rimbursimet për të drejtat televizive dhe pagesat e anuluara që shkojnë nga transmetuesit direkt te klubet, sponsorizimet e shumë zëra të tjerë financiarë. Champions League vlen rreth 3 miliardë euro, pra humbjet do të kapin minimalisht gjysmën e kësaj shumë, edhe nëse sezoni mbyllet me një zgjidhje alternative. Nivele të tilla kapin edhe sporte elitare si Formua 1, Moto GP, NBA etj.
Mendon që do të ketë ndonjë perceptim të ri përsa i përket vlerësimit të lojtarëve apo pagës së tyre?
Në situatën e krijuar, klubet nuk kanë më mundësi të bëjnë pagesat marramendëse. Shumë prej tyre kanë reduktuar deri në 30% apo edhe më tepër pagat. Kuptohet që edhe vlerat e lojtarëve në treg kanë rënë dhe do të bien, sepse mundësitë e klubeve tashmë janë minimale. E sigurtë është se shifra si 222mln euro për blerjen e një lojtari si Neymar, nuk do të ketë për të paktën 4-5 vite.
Kishte nevojë bota e sportit që shpesh përfshihet nga skandalet dhe nga një konsumizëm global për nje rikthim te vlerat e vërteta?
Bota e sportit është një entitet më vete. Pavarësisht të qënit një industri e stërmadhe dhe miliardave që qarkullojnë, vlerat nuk kanë munguar kurrë. Jo, vlerat e botës së sportit nuk vihen në diskutim dhe personalisht mendoj se kjo krizë do të sjellë një dëm të konsiderueshëm, jo vetëm financiar.
Cilat janë aktivitete madhore që nuk do të zhvillohen ?
Janë shtyrë për vitin e ardhshëm Kampionati Evropian i futbollit, si dhe Lojërat Olimpike. Mjaftojnë këto të dyja për të kuptuar se çfarë dëmi ekonomik i është shkaktuar vendeve organizatore, UEFA-s dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Shumë evente të tjera nuk e kanë të sigurt zhvillimin, sepse situate vlerësohet ditë pas dite. Për shembull, pavarësisht se janë anuluar gati gjysmat e garave në Formula 1 dhe Moto GP, askush nuk guxon të marrë vendimi për të mbyllur sezonet, ose jo.
Ka ndonjë skenar për të ardhmen apo çdo gjë është ende e paqartë?
Situata mbetet e paqartë. Nëse Gjermania është gati për rifillimin e stërvitjes dhe më pas kampionatit nën masa strikte( në ditët e para të qershorit me shumë gjasa), pak ditë më parë Franca vendosi për të mbyllur sezonin, një vendim që më parë e morën Belgjika dhe Holanda. UEFA i ka lënë afat Federatave të vendosin deri në 25 maj, duke bërë të ditur edhe skemat e mundshme. Diçka e tillë po diskutohet edhe për Kampionatin Shqiptar, i cili është gjithashtu “në ajër”. UEFA synon të përmbyllë UEFA Champions League në muajin gusht, gjatë të cilit do të luhen të gjitha ndeshjet e mbetura, duke ndryshuar formulën. Synohet që finalja të luhet më 29 gusht në Stamboll. Por gjithçka varet nga rifillimi i kampionateve nëpër Evropë (ato që mendohet të luhen). Gjithsesi, më i sigurtë është finalizimi i “Champions” sesa çdo kampionat vendas. Një vendim final do të merret pasi UEFA të ketë marrë përgjigjet e Federatave më 25 maj.