Serie A tashmë do të ketë një talent më pak. Fjala është për Jakub Kiwior, i cili u largua nga Spezia gjatë kësaj merkatoje dhe është transferuar në radhët e Arsenalit. Mbrojtësi i qendrës ka zbarkuar në shtëpinë e tij të re. 22 vjeçari ka kryer testet mjekësore dhe është zyrtrizuar si lojtari i radhës i Gunners.
Kryesuesit e Premier League i siguruan shërbimet e djaloshit në fjalë për shifrën e 25 mln eurove, ndërsa Kiwior, e firmosi kontratën e tij, deri në verën e 2028-tës.
Shtatlarti polak pritet të jetë një vlerë e shtuar në organikën e skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta. Prej kohësh, shtatlarti i prapavijës ndiqej nga një sërë klubesh të tjera të rëndësishme të kontinentit. Veçanërisht, për të nuk mungoi interesi as nga peshat e rënda të Serie A, sikurse është Milan, apo edhe Juventus.
Gjithësesi, Kiwior, zgjodhi tjetër drejtim në karrierë, duke vendosur të transferohet në ishull, aty ku në vijimësi do jetë pjesë e një prej klubeve më të titulluar të vendit, Arsenalit, 13 herë kampion i Anglisë.
Në fjalët e tij të para, Kiwior u shpreh se ndihet i priviligjuar që është bashkuar me Arsenalin dhe do japë maksimumin me fanellën bardhekuqe.