Arsenali shkatërron Realin e Madridit në aktin e parë të çerekfinales së UEFA Champions League. Në stadiumin Emirates, Gunners fituan 3-0 ndaj kampionëve të Europës. Pjesa e parë pati raste për të dyja skuadrat, por rezultati mbeti i paprekshëm. Spektakli i vërtetë do të ndodhte në pjesën e dytë, duke nisur që nga minuta e 58, kur Declan Rice shënoi nga goditja e dënimit. Nga një moment i tillë, do të kalonin vetëm 12 minuta të tjera dhe sërish Rice, do të shënonte një tjetër gol nga goditja e dënimit, por këtë herë më të bukur, më spekatkolar.
Në këtë mënyrë, Rice është bërë lojtari i parë në historinë e UEFA Champions League që shënon dy gola me goditje dënimi në një ndeshje të fazës me eliminim. Për më tepër, kjo ishte hera e parë në karrierën e anglezit, në 405 takime të luajtura si futbollist profesionist, që shënon gol nga goditja e dënimit.
Më tej, për t’u rikthyer tek ndeshja, goli i tretë mbajti firmën e Mikel Merinos, i cili në minutën e 75, shkarkoi një të majtë perfekte, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Thibaut Courtois.
Më pas, me kohën e mbetur në dispozicion, Reali nuk arriti do të reagojë, duke shënuar qoftë edhe një gol. Los Blancos nuk ia dalin të shënojnë dot në dy ndeshje radhazi në Champions League, për herë të parë që nga viti 2009-të, atëherë kur u përballën me Liverpool në fazën e 1/8-ave.
Si përfundim, Arsenali fitoi 3-0 dhe i jep vetes një bonus shumë të mirë për ndeshjen e kthimit në Madrid, në 16 Prill, atje ku Reali do të provojë të bëjë përmbysjen e madhe, ndonëse misioni duket gati-gati deri në kufurin e të pamundurës.