Arsenali përforcohet edhe në mbrojtje, dy blerje në orët e fundit të merkatos

Sport

Arsenali është vlerësuar për merkaton e saj, sidomos në fazën sulmuese, ku kanë nënshkruar me fenomenin e sezonit të kaluar tek Lille, Nicolas Pepe apo edhe me talentin spanjoll, Dani Ceballos. Megjithatë, tifozët e ‘topçinjve’ kërkuan përforcime në mbrojtje, aty ku skuadra e trajnerit Unai Emery ka më shumë probleme. Drejtuesit duket se i kanë dëgjuar këto zëra dhe kanë arritur të bëjnë dy blerje në orët e fundit të merkatos angleze, që të dyja në repartin e prapavijës. Fillimisht u konfirmua arritja e marrëveshjes me kampionët e Skocisë, Celtic, që do të arkëtojnë 25 milionë euro për kartonin e mbrojtësit të talentuar, Kieran Tierney. Arsenali kishte shfaqur prej kohësh interes për 22-vjeçarin, i cili do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me londinezët.

Ndërsa përforcimi i radhës vjen nga ana lindore e Londrës. David Luiz nuk pranoi të paraqitej në stërvitjen e Chelseat, duke u kërkuar hapur drejtuesve transferimin tek Arsenali. Marrëveshja mes dy klubeve është arritur për një shifër të përafërt me 10 milionë euro. Qendërmbrojtësi 32-vjeçar kishte arritur më parë një marrëveshje verbale me drejtuesit e topçinjve, që do t’i ofrojnë një kontratë 2-vjeçare me të drejtë rinovimi. Chelsea nuk ka mundësi të zëvendësojë brazilianin për arsye të dënimit të marrë nga FIFA, por trajneri i ‘bluve’, Frank Lampard u ka siguruar drejtuesve se disa lojtarë të rinj të ekipit e kanë bindur për të qenë pjesë e grupit për sezonin e ri të tyre.