Arsenali me shifra rekord, interes i lartë për Kvicha Kvaratskhelia

Sport

Arsenali gati të thyejë rekordin për blerjen më të shtrenjtë të historisë së klubit, për të dytën herë brenda merkatos së verës. Javë më parë, Gunners shpenzuan rreth 120 milionë euro për Declan Rice, mirëpo me objektivin e radhës, Arsenali është i gatshëm që kjo shifër të tejkalohet.

Fjala është për Kvicha Kvaratskhelia. Në vetëm një sezon me Napolin, 22 vjeçari ka tërhequr vëmendjen e klubeve me mjaft peshë të kontinentit, me të radhës Arsenalin, që është i vendosur të sigurojë shërbimet e gjeorgjanit.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se 13 herë kampionët e Anglisë, mund të shfrytëzojnë maksimalisht dy faktorë, në mënyrë që Kvaratskhelia të zbarkojë në “Emirates”. Së pari, Napoli është i vendosur që Osimhen të mos largohet, e për këtë arsye, mund t’i japë më tepër prioritet shitjes së Kavaras, nëse troket ndonjë ofertë e kënaqshme, ndonëse prej kohësh, kanë nisur negociatat e rinovimit të kontratës.

Faktori i dytë quhet Mauro Meluso, tashmë Drejtor Sportiv i Napolit. Në sezonin e kaluar, këtë detyrë, Meluso, e mbante në klubin e Spezias dhe bashkëpunoi me Arsenalin për shitjen e mbrojtësit Jakub Kiëior në Janarin e këtij viti.

Kështu që klubi londinez, për shkak të raporteve pozitive me Meluson, shpreson të gjejë një gjuhë të përbashkët për të blerë yllin 22 vjeçar, Kvaratskhelia. Nuk dihet si do të shkojë kjo çështje përgjatë ditëve të ardhshme të merkatos, por oferta e Arsenalit pritet të jetë mbi 120 milionë euro.

Në sezonin e tij të parë me Napolin, Kvara u aktivizua 43 ndeshje në të gjitha garat dhe shënoi 14 gola. Po ashtu, dhuroi 17 asiste, më tepër sesa çdo lojtar tjetër i Serie A. Me kontributin e tij thelbësor, anësori i sulmit e ndihmoi Napolin të fitonte titullin kampion.