Pasi nuk ia doli dot të siguronte shërbimet e Mudryk, Arsenali vijon të mbetet aktiv në merkaton e janarit dhe tanimë i ka drejtuar prozhektorët nga një tjetër futbollist. Sipas shtypit britanik, kryesuesit e Premier League janë gati të nisin kontaktet me Leandro Trossard. Futbollisti në fjalë, që prej 2019-tës pjesë e Brighton, përgjatë kohëve të fundit nuk gëzon një raport të mirë me trajnerin Roberto de Zerbi dhe kësisoj kanë nisur të ndihen sirenat e largimit.
Në këtë situatë përpiqet të përfitojë në maksimum Arsenali, që është gati të paraqitet me një ofertë rreth 25 mln euro në dyert e Brighton. Përgjatë këtyre viteve, performancat e Trossard kanë qenë pozitive në Premier League dhe ky mund të jetë momenti më i mirë që edhe Brighton ta mendojë shitjen e belgut, pasi një ofertë e tillë është e vështirë të përsëritet sërish në një moment të dytë, duke marrë parasysh që anësori i sulmit është 28 vjeç.
Këtë muaj, Trossard gjithashtu është kërkuar edhe nga Tottenham, por mundësia është më e madhe që futbollisti të bashkohet me Arsenalin, për shkak të ecurisë pozitive që po kalon skuadra e Mikel Artetës, që udhëheq bindshëm tabelën e klasifikimit në Premier League dhe mundësia e fitimit të titullit kampion mbetet e madhe.