Arsenali mund t’i ketë thënë lamtumirë ëndrrës së quajtur Champions League. Gunners ishin shumë pranë rikthimit në kompeticionin më madhështor të klubeve, por gjithçka e shkatërruan me duart e tyre në javën e 37-të të Premier League.
Transferta ndaj Neëcastle United ka rezultuar shumë e fortë për londinezët, të cilët u mposhtën me rezultatin 2-0 dhe të dy golat i pësuan në pjesën e dytë. Kjo do të thotë se Topçinjtë tashmë kanë zbritur në vendin e 5-të në tabelën e klasifikimit, në kuotën e 66 pikëve, 2 më pak sesa Tottenham i vendit të 4.
Pas përfundimit të ndeshjes, zhgënjimi ka qenë i madh në radhët e futbollistëve të 13 herë kampionëve të Anglisë. Një prej tyre ishte Granit Xhaka, i cili nuk është kursyer aspak, por u shpreh se pas një performance të tillë, Arsenali e nuk meriton të luajë në Champions League.
Sigurisht që matematika vazhdon ta mbajë në lojë skuadrën e drejtuar nga Mikel Arteta, por tashmë kualifikimi në Champions League është në dorën e tjetërkujt. Në ndeshjen e fundit të kampionatit, Arsenali pret në shtëpi Evertonin, aty ku e ka të detyrueshme të fitojë. Megjithatë edhe një rezultat maksimal ndaj ekipit nga Merseyside, mund të mos jetë i mjaftueshëm, nëse në krahun tjetër, Tottenham triumfon në transfertën e Norwich.