Arsenali gati të shpenzojë shumë të majme për një portier të dytë

Sport

Me 231 milionë euro të shpenzuara këtë merkato verore, Arsenali është klubi që ka harxhuar më tepër se çdo klub tjetër në Premier League deri më tani. Mirëpo, Gunners, nuk duan të ndalen këtu. Objektivi i radhës i 13 herë kampionëve të Anglisë është një portier dhe bëhet fjalë për David Raya, në pronësi të Brentford, klub me të cilin ka ende edhe një vit kontratë të vlefshme.

Për ta lënë të lirë lojtarin, Brentfordi kërkon plot 45 milionë euro për spanjollin, ndërsa nga ana tjetër, Arsenali është i gatshëm të paguajë 35 milionë euro, por jo më shumë se kaq. Megjithatë, duke parë distancën prej 10 milionë eurosh që i ndan të dyja klubet, është mëse e mundshme që palët të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe lojtari të bëhet pjesë e skuadrës së trajnerit Mikel Arteta.

Duke marrë parasysh shumën që ofron Arsenali, e nëse “operacioni” mbyllet me sukses, mund të krijohet përshtypja se Raya do të jetë një titullar në “Emirates”. Mirëpo nuk do të jetë kështu, sepse synimi i Arsenalit është që 27 vjeçari të jetë zëvendësuesi i Aaron Ramsdale, më këtë të fundit që cilësohet i paprekshëm në organikën e 13 herë kampionëve të Anglisë.

Duke marrë parasysh informacionet që përcillen nga mediat angleze, Raya ka arritur marrëveshjen personale me Arsenalin. Pra, katalanasi ka pranuar që të jetë një portier i dytë në “Emirates”, ndërsa tashmë e gjithë çështja ka mbetur në dorën e të dyja klubeve për të gjetur emëruesin e përbashkët, në mënyrë që Raya të zbarkojë në Londrën Veriore.

David Raya konsiderohet një portier me aftësi të jashtëzakonshme. Madje, ai ka marrë vlerësime maksimale edhe personazhe të ndryshme të futbollit, e një prej tyre është edhe Luis Enrique, i cili ka thënë se një ditë, 27 vjeçari do të bëhet portieri i parë i përfaqësueses spanjolle