Arsenali fiton ndeshjen e radhës dhe titulli duket më pranë

Sport

Teksa ndodhemi në fazën finale të sezonit, Arsenali është duke dhënë shenja se titulli mund të rikthehet në shtëpi pas 19 vitesh. Gunners, fituan bindshëm ndaj Evertonit, në atë që ishte një sfidë e prapambetur, e javës së 7-të të Premier League.

Në Emirates, djemtë e drejtuar nga Mikel Arteta, triumfuan me rezultatin 4-0. Dueli u zhbllokua në minutën e 40-të nga Bukayo Saka, i cili tashmë është bërë lojtari i 6-të më i ri në historinë e Premier League që ka arritur në shifrën e përgjithshme të 50 golave, plus assist të kombinuar së bashku.

Më tej, në minutën e 46-të të pjesës së parë, Gabriel Martinelli dyfishoi shifrat. Në fraksionin e dytë, Martin Odegaard në të 71-tën dhe sërish Martinelli në të 80-tën shënuan edhe dy golat e tjerë për ekipin londinez.

Kjo ishte hera e 12-të që Arsenali ka shënuar të paktën 4 gola ndaj Evertonit në Premier League, diçka që nuk e ka bërë ndaj asnjë kundërshtari tjetër në Premier League.

Me këtë fitore, kur deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe 13 javë për t’u luajtur, Arsenali kryeson tabelën e klasifikimit me 60 pikë, 5 më tepër sesa Manchester City i vendit të dytë.

Megjithëse ende nuk është mbyllur asgjë, në Emirates besojnë se ky është sezoni i duhur për të fituar titullin kampion. Diçka të tillë e konfirmoi edhe trajneri Mikel Arteta, i cili u shpreh se lojtatrët tashmë e kërkojnë me ngulm një titull të tillë dhe për këtë gjë po japin gjithçka në fushën e lojës. Megjithatë, numri një i stolit të Gunners ka theksuar se ekipi nuk duhet të shpërqendrohet, por të jetë i vëmendshëm vetëm tek ndeshja e radhës.