Arsenali dhe Gabriel Jesus të pafatë, sulmuesi dëmtohet përpara nisjes së sezonit

Sport

Arsenali dhe Gabriel Jesus të pafatë. Në prag të nisjes së sezonit të ri, sulmuesi brazilian është dëmtuar përsëri dhe si pasojë, duhet të qëndrojë disa javë jashtë fushës së lojës. Sikurse e ka konfirmuar vetë trajneri Mikel Arteta, Jesus vuan nga një problem në gju, problem që e ka detyruar atë të tërhiqet për një kohë të papërcaktuar nga aktiviteti.

“Për fat të keq, në gjurin e Gabriel janë shfaqur disa probleme, të cilat duhen zgjidhur me çdo kusht. Nuk duket një lëndim i rëndë, por sidoqoftë, do të duhen disa javë, që ai të jetë sërish gati për ne. S’ka asnjë dyshim që mungesa e tij do të jetë një minus i madh për ne gjatë kësaj kohe, sepse ai sapo ishte rikthyer në formën më të mirë fizike”, ka deklaruar numri një i stolit në Emirates, pas fitores me penallti në miqësore, të luajtur kundër Monacos.

Dëmtimi i Jesus, ka ardhur vetëm pak ditë përpara nisjes së sezonit në Angli. Në 6 Gusht, Gunners do të luajnë finalen e Superkupës ndaj Manchester Cityt, e mungesa e një lojtari të tillë, është një “armë” më pak për teknikun Arteta.

Nga ana tjetër e medaljes, dëmtimi i Jesus nuk është një lajm i ri për Arsenalin. Në edicionin e kaluar, si pasojë e një dëmtimi po në gju, ish-lojtari i Cityt, mungoi 15 ndeshje njëra pas tjetrës.

Nuk dihet nëse një ngjarje e tillë, mund të ndryshojë planet e Arsenalit në merkato. Mbetet për t’u parë përgjatë muajit Gusht, nëse 13 herë kampionët e Anglisë do të nisin nga puna për t’u përforcuar me një tjetër sulmues, apo do t’i besojnë organikës që kanë në dispozicion.