Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit:
“Ky është një kompeticion që e kemi pritur për shumë vite me radhë. Fakti është që në 15 vitet e fundit, ne kemi qenë në këtë fazë vetëm dy herë, e bën këtë situatë pak të vështirë për Arsenalin. Megjithatë, ne do të krijojmë historinë tonë dhe do të përpiqemi të kualifikohemi në raundin tjetër. Sonte është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ne. Sonte, 11 lojtarë në fushë dhe 60 mijë në stadium, duhet të jemi të gjithë të bindur se do të fitojmë ndaj Realit. Pastaj, për pjesën tjetër, thjesht duhet të jemi skuadra që jemi treguar përgjatë fazës së fundit të sezonit.
Është kënaqësi e veçantë të përgatitesh për ndeshje si këto. Reagimi i njerëzve është shumë i madh, teksa kuptohet se kjo është një sfidë e një magnitude shumë të madhe. Atmosfera rreth klubit është e madhe. Të gjithë janë të emocionuar. Ky është niveli që ne duam të jemi dhe Arsenali duhet të jetë vazhdimisht.
Jemi shumë krenarë që ndodhemi këtu dhe tani jemi gati për të luajtur. I ftoj tifozët të vijnë shpejt në stadium dhe të motivojnë lojtarët përgjatë ngrohjes muskulore. Duhet të ndërtojmë momente. Duhet të ndërtojmë historinë dhe këtë gjë duam ta bëjmë me njerëzit tanë.
Kemi nevojë për energji, për besim, për entuziazëm. Për të dhënë maksimumin në çdo aksion. Bonusi që merr nga të gjitha këto bashkë, është diçka që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër.
Real Madrid? Ata kanë bërë histori dhe këtë e kanë fituar falë mentalitetit të tyre. Kjo gjë është fakt dhe nuk mund të injorohet. Por, fakt është gjithashtu se ata nuk janë të suksesshëm përgjatë gjithë kohës, sepse kjo është e pamundur. Nga 20 herë, ndoshta mund të fitosh 5, por s’mund t’i fitosh do të gjitha, pasi është shumë e vështirë. Jemi në një pozicion që mund të luftojmë ndaj çdo skuadre të mundshme dhe këtë gjë e kemi treguar përgjatë dy viteve të fundit.
Ançelotti? Ai është një frymëzim për mua. Po flasim për një trajner i cili ka fituar kudo që ka shkuar. Ai transmeton qetësi dhe kjo është shumë e rëndësishme në një ambient me shumë presion.”
Bukayo Saka, lojtari i Arsenalit:
“Përballë është Real Madrid. Duhet të tregojmë respekt ndaj tyre për historinë që kanë shkruar. Por sonte çdo gjë mund të ndodhë, kështu që nuk duhet të përqendrohemi shumë tek kundërshtari. Nëse fitojmë, atëherë për ne do të ishte një bonus shumë i madh sonte. Është hera e parë pas shumë kohësh që Arsenali luan në një çerekfinale të Champions League, kështu që ne duam të mos ndalemi me kaq. Duam të kualifikohemi në raundin tjetër. Ne lojtarët jemi gati. Nuk kam asnjë dyshim se tifozët do të na përkrahin dhe do të krijojnë një atmosferë në stadium si asnjëherë tjetër më parë.
Sa i përket aspektit personal, jam kthyer nga një dëmtim i gjatë dhe aspekti psikologjik ishte mjaft i vështirë. Ishte një sfidë me vete, sepse koha ishte e gjatë. U operova dhe do të kalojë nëpërmjet një procesi të komplikuar. Kisha plot 5 vite që luaja rregullisht, ndeshje pas ndeshjeje dhe kjo ishte hera ime e parë që ndalesha për kaq shumë kohë. Tani jam mëse i lumtur që jam rikthyer dhe jam i freskët psikologjikisht.”
Carlo Ançelotti, trajneri i Real Madrid:
“Kjo është një ndeshje që kërkon kurajë dhe personalitet, çka do të thotë se duhet të jemi në më të mirën tonë dhe të qëndrojmë të motivuar. Është po ashtu e rëndësishme që ne të paraqitemi mirë në fushë, ashtu sikurse jemi përgatitur. Megjithëse, është e vështirë të qëndrosh gjithmonë në 100% të formës, është thuajse e pamundur. Vijmë nga nja periudhë me shumë dëmtime dhe kjo i ka bërë të vështira ndryshimet tona në formacion, ndonëse ato janë të domosdoshme të bëhen. Pushuam Asencion, sepse pas ndeshjes me Sociedad, ai ishte i rraskapitur.
Sa i përket kundërshtarit, mendoj se Arsenali është një skuadër e mirë dhe një ekip i kompletuar. Ata dinë të bëjnë pressing mjaft mirë, dinë të mbrohen dhe janë të mirë në tranzicion. E kemi të qartë se si do të luajmë ndaj tyre. Skuadra ime është në formë të mirë fizike dhe mund të luajmë me intensitet.
Champions League është një kompeticion ku eksperienca është shumë e rëndësishme. Pikërisht njohuritë dhe eksperienca, të bëjnë mos t’i luash këto ndeshje me shumë presion. Është gjithashtu me rëndësi të madhe të kesh lojtarë, të cilët kanë marrë pjesë disa herë në raunde të tilla. Kjo gjë ndihmon edhe të rinjtë, e u jep atyre më shumë besim.
Kritikat ndaj meje? Nuk kemi shumë kohë të mendojmë rreth tyre kur kemi vetëm 3 ditë kohë për të bërë gati ndeshjen. Ndoshta njerëzit janë të lodhur, por më e rëndësishme është që personi më i rëndësishëm nuk ndihet i lodhur. Presidenti është i lumtur me mua. Ai më ndihmon dhe më përkrah. Kemi analizuar në detaje takimin me Valencian. Tani, jemi bërë gati për këtë sfidë, që do të zgjasë vetëm 90 minuta. Kjo nuk do të jetë vendimtare, sepse 90 minuta të tjera do të luhen edhe në Bernabeu.
Arteta? I Vlerësoj fjalët që ka thënë për mua. Në këto 5 vite, ai e ka bërë Arsenalin një nga skuadrat më të mira në Europë. Puna e tij flet vetë, pasi Arsenali tashmë është një ekip i kompletuar dhe më i fortë në krahasim me të shkuarën.
Vinicius? Nuk kam folur me të dhe nuk kam nevojë të flas. E di shumë mirë se aim und të kishte luajtur më mirë ndaj Valencias. Por, kur Vinicius nuk luan mirë në një ndeshje, ai reagon në tjetrën. Kështu që jam i bindru se ai do të bëjë një paraqitje pozitive sonte.”
Thibaut Courtois, portieri i Real Madrid:
“Jam mirë. Kisha një problem të lehtë, por ishte diçka e zakonshme. Kam bërë disa seanca stërvitore dhe tani jam mirë. Kemi ndryshuar mentalitetin tonë për Champions League. Duam të performojmë dhe të fitojmë. Dimë si të mbrojmë nga goditjet standarde dhe do të përpiqemi të mos pësojmë shumë korrne. Varet gjithashtu edhe nga cilësia e kundërshtarit, sepse nëse topi vjen mirë, është e vështirë të mbrohesh. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për ne.
Arsenali nuk mposhtet prej dy vitesh në shtëpi në Champions League? Nuk e dija këtë, por mendoj se kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Është njësoj si të thuash që ne kemi 15 tituj të Champions League. Pra, nuk ndryshon asgjë. Ata janë të fortë në shtëpi, por kështu ishte edhe Liverpool, e ne fituam 5-2 ndaj tyre. E dimë se Arsenali luan mirë, por ne kemi ardhur këtu për të fituar. Është hera e parë për ne që luajmë këtu pas kaq shumë vitesh. E dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë.”