Vazhdon me të tjera raportime saga e dyshes Sanchez-Ozil te Arsenali. Shtypi sportiv në Angli ka raportuar këtë javë se tashmë kileni shihet si një alternativë perfekte për sulmin e Realit të Madridit. Pas një vere totalisht të çmendur me raportime nga më të ndryshmet, ku u tha se Sanchez do t’i bashkohej Guardiolës te Manchester City, tanimë lajmi i radhës sheh Realin si skuadrën e fundit që interesohet për të. 28-vjeçari ka një kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit të ardhshëm dhe mund të negociojë me klube të tjera që në janar. Por sikurse raporton Daily Star, Reali është gati t’i ofrojë Arsenalit një lojtar dhe para, në mënyrë që të përfitojë shërbimet e kilenit që në janar dhe jo sezonin e ardhshëm. Në këtë pjesë Don Balon përmend emrin e Lucas Vazquez. Sanchez shihet blerja më e mirë për faktin se ai mund të luajë edhe në Champions Lague, kjo pasi Arsenali këtë sezon nuk ka mundur të kualifikohet. Ende nuk përmenden shifra, por 3 vite më parë topcinjtë shpenzuan 42 milionë euro për t’ia marrë Sanchezin Barcelonës, sigurisht shifrat tanimë do jenë shumë më pak, por konkurrenca për Sanchezin duhet thënë se është e lartë. Por ndërsa për kilenin e ardhmja duket sërish larg Londrës, për Ozilin mund të ketë një tjetër shans te Arsenali. Topcinjtë thuhet se do t’i ofrojnë gjermanit një kontratë të re me 275 mijë paundë në javë. Wenger ka ndërhyrë në këtë cështje dhe i ka kërkuar klubit të bëjë një tjetër përpjekje për ta bindur 29-vjecarin që të qëndrojë, kjo pak javë përpara hapjes së merkatos së janarit. Edhe atij i përfundon kontrata në qershor të 2018-ës, ndërsa për të interesohet Barcelona dhe Manchester United.