Kevin de Bryune ishte njeriu i ndeshjes për Manchester City në fitoren 3-0 në transfertë ndaj Arsenalit, por belgu, me golin e tij të parë mund të ketë thyer një rekord negativ të ‘topçinjve’, që po kalojnë një moment shumë të vështirë. Asnjëherë më parë në historinë e tyre në ‘Premier League’, Arsenali nuk kishte pësuar golin e parë të ndeshjes në 6 sfida radhazi. Por ajo goditje e De Bryune, që në fakt vështirë se mund ta ndalte ndokush, bëri që londinezëve t’i shtohet një tjetër rekord negativ. Martinelli mund ta kishte shmangur këtë gjë me goditjen e tij në minutën e parë, por sulmuesi i Arsenalit u ndal nga portieri Ederson. Vetëm pak sekonda më pas, do vinte edhe goli i De Bryune. Mbrojtja e ‘topçinjve’ është në një nga momentet më të këqija të këtij mijëvjeçari. Skuadra londineze ka pësuar golin e parë të takimit edhe në ndeshjet ndaj Leicester, Southampton, Norwich, Brighton dhe West Ham.
Sipas mediave angleze, kjo shpjegon se pavarësisht cilësisë që ka ekipi në fazën sulmuese, mbrojtja e pengon në jo pak raste të festojë fitoren. 6 ndeshje pa fitore në stadiumin e tyre, për Arsenalin do të thotë një krizë rezultatesh. Kjo është ecuria më e keqe pa fitore në shtëpi që nga sezoni 1994-1995. Në atë kohë, skuadra shkoi deri në 8 ndeshje pa fitore në shtëpi, diçka që me gjendjen aktuale të Arsenal nuk është e paarritshme. Gjithashtu, rezultati i fundjavës solli edhe humbjen e pestë të londinezëve ndaj Manchester City në kampionat, çfarë në një farë mënyre tregon edhe diferencat që kanë për momentin dy skuadrat. Kjo është hera e parë që ‘topçinjtë’ kanë një bilanc kaq negativ me një skuadër të ‘Premier League’ që nga gushti i vitit 1985, kur skuadra regjistronte pikërisht 5 humbje radhazi në kampionat me Manchester United. Kjo formë negative e Arsenalit mund të vazhdojë të përkeqësohet, pasi sfidat e radhës për ta në shtëpi janë pikërisht ndaj Chelsea-t dhe Manchester United.