Mikel Arteta (trajner i Arsenalit):
“E vërtet që po shkruajmë historinë, por do të synojmë më shumë. Tashme jemi në gjysmë finale, ku diferencat janë fare të vogla dhe tani bëhet fjalë që t’i shfrytëzojmë ato. Jemi plot energji dhe entuziazëm. Tani duhet të testojmë kufijtë tanë dhe të shohim sesa larg mund të shkojmë. Ky është momenti!. Sonte pres një atmosferë edhe më të mirë se ajo kundër Real Madridit. Dua që të gjithë – edhe tifozët – të veshin fanellat e tyre dhe të japin gjithë shpirtin në stadium. Ndeshja kundër Real Madridit ishte ajo me atmosferën më të mirë që kam përjetuar ndonjëherë këtu, si lojtar apo edhe si trajner.
Gjithmonë, Real Madrid është sfida më e madhe që mund të kesh në Europë dhe ne i fituam të dyja ndeshjet. Kjo na jep besim për këtë gjysmëfinale. Sidomos me rrethanat e këtij sezoni dhe për mënyrën se si kemi kapërcyer shumë probleme e sfida. Jemi bërë një nga katër ekipet më të mira në Evropë. Është një histori e bukur tani për tani, por e theksoj se duam më shumë. Mikel Merino dhe Ben Uajt? Janë stërvitur mirë dhe janë të gatshëm të luajnë. Tomas Partey, për fat të keq, është jashtë për shkak të pezullimit. Po ashtu,edhe Kalafiori është ende jashtë.
Paris SG është një ekip me të cilin është punuar shumë mirë dhe me individualitete cilësore . Ata kujdesen për detajet dhe ne do të duhet që ta bëjmë këtë gjithashtu. Luis Enriquen e admiroj për ndershmërinë e tij. Ai të shikon në sy dhe të thotë atë që mendon. Në fund, lojtarët e vlerësojnë këtë. Ka një personalitet të jashtëzakonshëm, karakter të fortë dhe energji të madhe. Kam mësuar shumë nga ai. Për mua, është një nga trajnerët më të mirë në botë dhe dikush që më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. E respektoj maksimalisht, si njeri dhe si profesionist. Vitet e mia në Paris, gjate ezonit 2001-2002, ishin vite në të cilat mësova shumë dhe pata kujtime të shkëlqyera si lojtar. Para se të hyja në konferencën për shtyp, më treguan një foto të disa prej lojtarëve me të cilët isha gjatë atyre viteve dhe njëri prej tyre ishte Ronaldinjo, gjë që të jep një ide se me kë kam luajtur atje”.
Gabriel Martinelli, sulmues i Arsenalit:
“Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm për mua. Jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Kur erdha këtu, ne luanim në Europa League dhe tani jemi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Mund të them se ky klub meriton të ketë sukses dhe ne jemi vërtet të lumtur që jemi të përfshirë në këtë moment. Nuk duam te mbetemi thjesht tek eliminimi i Real Madridit. Besojmë se mund të fitojmë ende. Sigurisht, ëndrra është trofeu me veshë të mëdhenj. Do të ishte një gjë e mrekullueshme që mund t’i sjellim klubit një triumf të atillë. POr duhet të marrim gjërat hap pas hapi, duke mos u përfshirë nga entuziasmi. Thjesht duhet të qendrojmë me këmbë në tokë, për të bërë atë që kemi detyrë përpara publikut tonë, ndaj një kundërshtari që meriton respekt dhe vlerësim”.
Luis Enrique, trajneri i Paris SG:
“Patëm një udhëtim të mirë e të qetë. Lojtarët janë të përqëndruar tek kjo përballje. Bëhet fjalë për një gjysmëfinalet të ‘Champions League’-ës, prandaj duhet të jemi gati për çdo skenar të mundshëm. Nuk është se do të ketë surpriza në aspektin e njohjes së kundërshtarit, pasi Arsenali është një skuadër shumë e mirë që luan vetëm në mënyrën e vet. Në fushë do të jenë dy skuadra që luajnë futboll të bukur, që u pëlqen të kenë topin nën zotërim dhe kjo e bën situatën shumë interesante. Në të tilla kushte, do të jetë e rëndësishme edhe mënyra se si do të përmbajmë emocionet e si do të përballojmë presionin.
Arsenali është një nga skuadrat më të mira në Europë dhe kanë një trajner që prej vitesh, po bën një punë të shkëlqyer. Të luash ndaj tyre është gjithmonë e vështirë. Jam i sigurt se do të jetë një ndeshje e madhe. Ky është një stadium që krijon një atmosferë të shkëlqyer, me shumë presion, por besoj se kur bëhet fjalët për këto nivele, lojtarët janë mësuar të marrin më të mirën nga mbrëmje të tilla. Mendoj se aktualisht, jemi një ekip më i fortë se sa ai që humbi këtu gjatë fazës së ligës, në tetor. Ajo ishte një fazë shumë intensive për ne, që na bëri të mësojmë vërtet shumë nga vetja. Por tani ndihemi më të kompletuar, me më shumë besim në atë që duam të realizojmë. Sa i përket cilësive të skuadrave, mendoj se jemi dy ekipe të ngjashme. Brenda formacioneve mund të gjesh si forcë të madhe të grupit, edhe aftësi të mrekullueshme individuale. Nëse këtu shton edhe intensitetin e lartë me të cilin luajnë këto dy skuadra, atëherë mendoj se për të gjithë, bëhet e vështirë të përzgjedhësh një favorit.”
Vitinja, mesfushor i Paris SG:
“E dimë që Arsenali është shumë i fortë në goditjet standarde dhe është një ekip më i mirë, krahasuar me atë që përballuam në muajin tetor. Janë skuadër shumë cilësore, kjo do të thoja se është karakteristika e tyre kryesore. Në sulm, në mbrojtje, ata bëjnë gjithçka së bashku, pak si ne. Është e rëndësishme të ruash qetësinë dhe të qëndrosh i përqendruar. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm në këto lloj ndeshjesh, me presionin që ekziston. Është padyshim një ndeshje e ndryshme në këtë fazë të kompeticionit, krahasuar me takimin e Fazës së Ligës. Nuk do të ndryshojmë gjithçka në lidhje me mënyrën se si luajmë, por sigurisht që do të bëjmë gjëra të ndryshme për të fituar. E theksoj edhe një herë se kemi evoluar shumë që nga fundi i tetorit dhe ajo humbje që pësuam. Nuk jemi më i njëjti ekip. Nuk mendoj se ka favoritë. Jemi ambiciozë dhe duam të bëjmë histori. Është një objektiv i vështirë, por skuadra ka shumë vetëbesim dhe duhet të përqendrohemi për të luajtur futbollin tonë, me synimin për të fituar”.