Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit:
“Sonte luajmë në shtëpi, ndeshjen tonë të parë në Champions League dhe i kemi përqendruar të gjitha energjitë tona këtu. Këto janë netë, të cilat duam t’i përjetojmë dhe duam të lëmë gjurmë, ndaj një kundërshtari të pabesueshëm. Jemi gati. Emocione të tilla nën çatinë tonë na kanë munguar prej vitesh me radhë. Këtë herë, faza në grup është më ndryshe, prandaj, kundërshtari që do të kemi përballë këtë mbrëmje, ëshë niveli më i lartë i mundshëm i futbollit europian. Por, sinqerisht, është një mundësi e mirë për ne, që të testojmë veten në mbrëmje si këto, të tregojmë se sa të përgatitur jemi dhe se si mund përshtatemi ndaj një atmosphere të tillë. Nga ndeshja në ndeshje, kemi treguar disa mënyra të ndryshme për të marrë rezultat. Këtu mund të përmend pjesën e dytë të takimit ndaj Manchester Cityt dhe në fund, humbëm dy pikë vetëm një minutë larg mbylljes. Ajo ishte një sfidë që bëmë tërësisht të kundërtën e asaj që jemi mësuar të bëjmë, megjithatë, kur kthej kokën pas, jam shumë i kënaqur me skuadrën. Luis Enrique? E admiroj. Ai është i drejtpërdrejtë. Të sheh në sy dhe të thotë atë që mendon. Në fund të fundit, ky është një tipar që lojtarët e vlerësojnë. Ndoshta mund ta pëlqejnë pak, apo shumë, varet nga rrethanat, por futollistë që kanë punuar me të në kombëtare, thonë se të punosh me të është kënaqësi. Në këtë profesion, kur dikush të bën të ndihesh mirë, atëherë, kjo është një vlerë e madhe që ti zotëron.”
Jurrien Timber, mbrojtësi i Arsenalit:
“Nuk kam luajtur ndonjëherë ndaj PSG, por ata janë një skuadër e mirë, me një trajner të shkëlqyer, e po ashtu me lojtarë të klasit botëror. Gjithësesi, e rëndësishme është të përqendrohemi në lojën tonë. Po e shijoj shumë këtë moment, sepse në sezonin e kaluar nuk mund të luaja. Jemi stërvitur mirë, kemi punuar me përkushtim dhe vëmendje maksimale. E dimë se çfarë duhet të bëjmë, për më tepër që luajmë në shtëpi, përpara tifozëve tanë. Për këtë arsye, përgjegjësia është edhe më e madhe për të dhënë maksimumin. Në mbrëmje si këto, emocioni në sytë e lojtarëve dallohet qartë, kështu që nuk është e nevojshme të diskutojmë se sa të motivuar jemi. Po presim me padurim të zbresim në fushën e lojës dhe të korrim suksesin e radhës.”
Luis Enrique, trajneri i PSG:
“Arsenali është një nga skuadrat më të mira në Europë. Ata luajnë një futboll të mirë në të gjitha drejtimet, në veçanti në mënyrën e qarkullimit të topit. Por, janë mjaft të mirë edhe pa top. Prandaj, e them me bindje se ata janë një nga ekipet më të mira të momentit në qarkullim. Mendoj se në fushë do të zbresin dy skuadra me mjaft pika të përbashkëta, por gjithashtu edhe me disa ndryshime. Mikel Arteta? Kam punuar me të për një sezon kur ai ishte i ri. Karriera e tij ka rezultuar të jetë e suksesshme, qoftë me PSG kur ishte lojtar, edhe tani si trajner. Sot, ai është një nga trajnerët më të mirë në botë. Arteta ka mundur të ndërtojë një ekip të denjë për të fituar trofe dhe ta bëjë Arsenalin sërish një skuadër madhështore. Po flasim për një trajner dhe njeri të madh, kështu që nuk kam se çfarë të them tjetër për të. Do të jetë një kënaqësi e veçantë, që do të takohemi sonte. Dembele? Nuk është e thjeshtë të ndërtosh një skuadër. Ndonjëherë, ndërtohen rrethana, apo situata, në të cilat është e vështirë të ndërveprosh. Vendimet e mia, unë i marr me mjaft përkushtim, por kjo nuk do të thotë se ato janë të pakundërshtueshme. Me Parisin, kam firmosur për të ndërtuar një skuadër me identitet. Këtu kam ardhur për të ndërtuar skuadrën më të mirë të mundshme në fushën e lojës. Për këtë, kam mbështetjen e drejtorëve sportive dhe të presidentit. Jam këtu për të krijuar ekipin më të mirë të mundshëm dhe këtu përfshihet edhe Ousmane Dembele. Filozofia e lojës? Pavarësisht lojtarëve që zbresin në fushë, idetë dhe stili, nuk ndryshojnë asnjëherë. Kam besim tek lojtarët e mi. Duam të arrijmë nivelin e lojës, që jam përpjekur të krijoj, që prej ditës së parë.”
Achraf Hakimi, mbrojtësi i PSG:
“Që prej ardhjes së trajnerit Luis Enrique, kam parë besimin që ai ka tek unë, rëndësinë që mund të kem për skuadrën dhe lirinë që kam nevojë në fushën e lojës. Kjo gjë më ka ndihmuar të bëhem një lojtar edhe më i mirë. Ne po vazhdojmë të punojmë mbi atë që ndërtuam sezonin e kaluar. Jemi një grup i bashkuar. Forca jonë, është shpirti i skuadrës. Mendoj se këtë gjë e kemi dëshmuar dhe do të vazhdojmë ta tregojmë në të ardhmen. PSG është një klub mjaft i respektuar, si në Europë, ashtu edhe jashtë saj. Kemi lojtarë të mirë, me plot kualitet dhe me një identitet të caktuar loje. Jemi një skuadër e vështirë për t’u mundur.”