Arsenal pranë nënshkrimit me…

Sport

Trajneri i Arsenal, Unai Emery kërkoi të paralajmëronte rivalët e ‘Premier League’ duke thënë se skuadra e tij do të përforcohej me disa blerje të shtrenjta dhe një prej tyre mesa duket do të vijë nga Brazili. Everton Soares shkëlqeu me kombëtaren ‘Seleçao’ në ‘Kupën e Amerikës’ dhe tërhoqi vëmendjen e shumë skuadrave të mëdha në Europë. Sulmuesi anësor ka qenë prej kohësh një objektiv i Milanit, por pas largimit të Leonardos nga kuqezinjtë, janë pikërisht londinezët që kanë marrë situatën në dorë. Shumë media e bëjnë fakt të kryer kalimin e Everton Soares tek Arsenal, që thuhet se do t’i paguajë Gremios të paktën 40 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit.

Ndërsa një goditje më e madhe në merkato mund të vijë nga Spanja, ku Unai Emery kërkon të marrë më ngulm Dani Ceballos. Mesfushori 22-vjeçar konsiderohet thuajse i larguar nga Real Madrid dhe për të ka oferta të shumta nga Italia e Anglia. Ceballos ka kërkuar të qëndrojë tek ‘los blancos’, por fakti që Zidane nuk e sheh si titullar në formacionin e tij, mund ta shtyjë lojtarin të largohet gjatë kësaj vere. ‘Marca’ raportonte se përfaqësuesit e futbollistit kanë arritur një akord verbal me drejtuesit e Arsenalit, por për momentin diçka e tillë mbetet e pakonfirmuar. Për Ceballos, interes të fortë ka shfaqur edhe Tottenham, që para pak ditësh raportohej se ishte gati të paguante deri ne 75 milionë euro për të marrë shërbimet e 22-vjeçarit.