Arsenal, lojtarët nuk pranojnë nga klubi që të ulin pagat e tyre

Sport

Futbolli është ndalur së luajtur prej më shumë se një muaj, për shkak të Covid-19-të. Situatë e pazakontë, ka bërë që klubet të hasin edhe vështirësi financiare. Në këto kushte, Juventus, Real Madrid, Barcelona, apo edhe në Francë, klubet janë dakordësuar me lojtarët që të kenë një ulje deri në një përqindje të caktuar të pagës së tyre. E njëjta gjë duket se do të ndodhë edhe në Angli, ku klubet e Premier League janë duke e marrë në konsideratë një veprim të tillë. Mirëpo, sikurse raportojnë mediat në ishull, lojtarët e Arsenalit, kanë dalë kundër kërkesës së klubit për të ulur pagat. Arsenali u kishte propozuar lojtarëve një reduktim deri në 12.5%. Klubi londinez në vit paguan rreth 260 milionë euro rroga, ndërsa me këtë ulje, do të kursente rreth 30 milionë euro. Mirëpo asnjë prej futbollistëve nuk e ka pranuar një lëvizje të tillë. Nuk dihet si do të shkojë kjo situatë, duke qenë se klubet për momentin nuk kanë asnjë të ardhur, por vetëm shpenzime. Sezoni në Premier League është ndalur në javën e 29-të, dhe nuk dihet me saktësi si do të shkojë, por nëse nuk anullohet, atëherë ndeshjet do të luhen pa tifozë, dhe sërish këtu klubet nuk do të kenë mundësinë që të fitojnë para nga të ardhurat e biletave. Arsenal, këtë edicion ka pasur mjaft ulje-ngritje, teksa për momentin ndodhen në vendin e 9-të në tabelën e klasifikimit me 40 pikë të grumbulluara. Objektivi kryesor është një kualifikim në Champions League, por në këto kushte, duket I vështirë edhe një vend në Europa League. Nëse nuk arrihet asnjë prej këtyre kompeticioneve, atëherë të ardhurat e klubit do të binin dukshëm.