Një nga të vetmet pika pozitive të këtij sezoni për Arsenalin ka qenë spikatja e disa prej të rinjve të akademisë apo të rinjve të transferuar në merkaton e verës , të cilët kanë impresionuar me paraqitjen e tyre në një skuadër që po vuan shumë për të patur një qëndrueshmëri në arritjen e rezultateve. Një prej tyre është edhe braziliani Gabriel Martinelli, i cili është kthyer në këtë sezon në një element mjaft të rëndëishëm për formacionin e londinezëve. Mirëpo, paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga klube të tjera, që shohin një profil mjaft interesant tek Martinelli, pasi braziliani ka aftësinë të luajë në pozicione të ndryshme në sulm apo edhe mesfushë. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, drejtuesit e Arsenalit kanë filluar negociatat për të rinovuar sa më shpejt kontratën e 18-vjeçarit, i cili u bë pjesë e londinez në korrikun e 2019-ës, kur u transferua për thuajse 6,3 milionë paundë nga klubi Ituano në Sao Paulo dhe firmosi për Arsenalin deri në vitin 2024.
Megjithatë, në Londër e dinë shumë mirë se paga e lojtarit duhet të përmirësohet në bazë të paraqitjeve të lojtarit, për të cilin nuk do të mungojnë ofertat. Aktualisht, Martinelli përfiton 10 mijë paundë në javë dhe drejteusit anglezë janë të gatshëm ta trefishojnë këtë shifër, vetëm që braziliani të firmosë sa më shpejt kontratën e rinovimit. I gjithë ky nxitim vjen edhe pas interesimit që ka shfaqur Real Madrid për të transferuar Martinellin në ‘Bernabeu’. Duke parë situatën jo të mirë të Arsenalit, gjigandët spanjollë janë gati të përfitojnë për të afruar një tjetër talent premtues si Martinelli. Në 21 ndeshje të zhvilluara në këtë sezon, 18-vjeçari ka realizuar 10 gola për fanellën e Arsenalit. Aktualisht, vlera e kartonit të tij llogaritet në 50 milionë paundë, por tek klubi londinez, për momentin nuk kanë asnjë qëllim për të larguar Martinellin, pavarësisht ofertës së mirë që mund të vijë nga Spanja.