Arsenal dhe Aston Villa drejt çerekfinales, kualifikim i hapur në ndeshjen e Dortmundit

Sport

Arsenali siguron paraprakisht biletën në fazën çerekfinale të UEFA Champions League. Të Martën mbrëma, Gunners fituan 7-1 në transfertën e PSV, rezultat që në fakt, doli përtej çdo parashikimi të mundshëm, pasi pritej një rezistencë më e madhe nga skuadra hollandeze.

Megjithatë, nuk ndodhi kështu. Londinezët dhuruan spektakël, duke shënuar me Timber, Nëaneri, Merino, Trossard, Calafiori dhe një dygolëesh i kapiteni Odegaard.

Në këtë mënyrë, Arsenali është bërë skuadra e parë në historinë e UEFA Champions League që ka shënuar 7 gola në transfertë në fazën me eliminim të kompeticionit.

Duke marrë në konsideratë pikërisht rezultatin e thellë 7-1, Arsenali thuajse e ka siguruar tashmë biletën drejt çerekfinales, teksa ndeshja e kthimit ndaj PSV të Mërkurën e ardhshme, do të luhet thjesht për statistikë.

Me një këmbë në çerekfinale është edhe Aston Villa, që fitoi 3-1 në fushën e Club Brugge, falë golave të realizuar nga Bailey, Marco Asensio dhe një autogol nga Mechele. Ai që barazoi përkohësisht rezultatin për belgët ishte De Cuyper në pjesën e parë.

Ndërsa kualifikimi ka mbetur tërësisht i hapur në ndeshjen mes Borussia Dortmund dhe Lille. Akti i parë në tokën gjermane përfundoi me rezultatin 1-1. Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit me anë të Karim Adeyemi në pjesën e parë. Miqtë barazuan në pjesën e dytë me Haraldsson. Kështu, të Mërkurën e ardhshme, në Francë do të vendoset se cila prej të dyja skuadrave do të kualifikohet në çerekfinale të Champions League.