ARNE SLOT, TRAJNERI I FEYENOORD:

Sport

“Diego Simeone dhe Atletico Madrid janë një shembull për ne. Atletico është një klub, që kur erdhi Simeone, kishte probleme financiare. Ai arriti të ndërtojë sukses këtu, duke i dhënë ambientit një tjetër identitet, por mbi të gjitha, një mentalitet fituesi. Kjo është arsyeja që them se Atletico ka shërbyer si një frymëzim për ne. Në Hollandë, ne duhet të përballemi me dy klube që kanë më tepër potencial financiar sesa ne, Ajax dhe PSV, por nëse ndërton mentalitetin dhe identitetin tënd, ashtu sikurse Atletico këtu, atëherë patjetër që mund të konkurosh midis dy të tjerëve.

Në lojën pa top, Atletico është një shembull për t’u ndjekur dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Ndërsa në lojën me top, modeli im i preferuar është Pep Guardiola dhe nuk e ndryshoj mendimin tim.

Që të dalim me një rezultat pozitiv nga këtu, duhet të luajmë një ndeshje të nivelit më të mirë të mundshëm. Duhet të dyfishojmë kualitetin që kemi treguar përgjatë 6 apo 7 ndeshjeve të fundit. Si në veprimet me top, ashtu edhe pa të, vëmendja duhet të jetë maksimale dhe është e nevojshme të gjejmë zgjidhje sa më të shpejta. Është shumë e thjeshtë që një gjë të tilla ta analizosh, apo ta studiosh një ditë përpara dhe është krejtësisht një tjetër gjë ta aplikosh në fushën e lojës. Pikërisht kjo është gjëja më e vështirë në futboll. Me pak fjalë, duhet të mbajmë një intensitet të lartë përgjatë gjithë 90 minutëshit.”