Të gjithë presin me padurim debutimin e Armando Sadikut në kampionatin spanjoll, pasi në ditët e fundit të merkatos së janarit, elbasanasi u ble nga Levante për rreth 1 milion euro. Mirëpo si në ndeshjen ndaj Realit të Madridit, ashtu edhe të dielën në mbrëmje për derbin e humbur 3-1 kundër Valencias, për sulmuesin shqiptar është rezervuar vetëm tribuna.
Deri tani askush nuk arrinte të jepte një shpjegim mbi atë se çfarë është duke ndodhur me bomberin kuqezi. Por vetë Sadiku ka sqaruar gjithçka, në një prononcim të dhënë për “Konica.al”. Teksa ka zbuluar se është i dëmtuar në gju dhe do të qëndrojë rreth dy javë jashtë fushave të gjelbërta.
“Kam një dëmtim në gju prej më shumë se një jave. Mjekët më thanë që të qëndroja pushim dy javë, sepse mund ta përkeqësohesha. Natyrisht që do të kisha dashur të jepja kontributin tim, qoftë edhe nga pankina. Ja që disa gjëra nuk varen vetëm nga dëshira ime”, ka thënë fillimisht Sadiku. Ai gjithashtu është shprehur se po punon maksimalisht, për t’u rikuperuar sa më mirë. Teksa do të presë momentin e tij për të dhënë të gjithë potencialin që zotëron. “Ka ende shumë ndeshje përpara dhe me siguri që do të më jepet mundësia të tregoj vlerat”, përfundoi Sadiku, i cili në fakt duhet të mposhtë edhe konkurrencën e një sulmuesi të njohur italian, siç është Xhampaolo Pacini.